Lajme

Arrestohet ‘Kaça’, bosi i kontrabandës në veri të Mitrovicës

Kontrabanduesi me mallra serbe, Besim Zeqiri (Kaça)

Besim Zeqiri i njohur me nofkën “Kaça” është dërguar në paraburgim pas arrestimit të tij i cili u bë fundjavën e kaluar.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar Valon Preteni, zëdhënës në Prokurorinë e Mitrovicës.

Preteni tha se ndaj Zeqirit është caktuar edhe masa e paraburgimit.

“I njëjti është arrestuar, prokuroria ka bërë kërkesë për paraburgim dhe i është caktuar masa për një muaj”- tha Preteni.

‘Kaça’ ishte në kërkim nga organet e rendit që nga tetori i vitit të kaluar nën dyshimet për kontrabandë me mallra në veri të Kosovës.

Theksojmë se Policia e Kosovës pas një aksioni kohë më parë kundër kontrabandës në katër rajonet e Kosovës kishte shpallur në kërkim 10 persona si të dyshuar për kontrabandim me mallra.

Në mesin e tyre ishte edhe Besim Zeqiri, i njohur si “Kaça” nga Mitrovica, i cili dyshohet se është “njeriu kryesor” i kontrabandës nga Serbia për në Kosovë.

Besim Zeqiri “Kaça”

Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti e kishte konfirmuar se lokali ku ishin sulmuar policët e Kosovës ishte e një shqiptari, që është i njohur për veprimtari kriminale.

“Rreth orës 11:00 të gjitha njësitë policore që kanë pjesë në operacion janë tërhequr. Një informacion shtesë, në barnatoren ku janë sulmuar policët është lokal i një shqiptari që është i njohur për veprimtari kriminale. 26 lokacione, 8 persona janë arrestuar, 10 në kërkim, 10 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime. Lëndimet janë të lehta, të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë”, kishte thënë Mehmeti atë ditë pas aksionit policor.

Në nëntor të vitit të kaluar, Shqip.com kishte publikuar një seri hulumtimesh ku zbardhej skema e kontrabandimit dhe pjesëmarrësit që nuk pyesin për ligj.

Lexo edhe:
Toka e askujt, krimi i të gjithëve

Kaça është në mesin e 18 personave për arrestimin e të cilëve Policia dhe Dogana e Kosovës ndërmorën aksion në tri rajone të vendit me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, më 13 tetor të 2021-tës./Shqip.com

Lexo edhe:
Njihuni me “Kaçën”, bosi i kontrabandës në veri të Mitrovicës