Lajme

Arrestohen dy persona në Gjilan, iu kapen 15 kilogramë drogë

Marihuana e konfiskuar.

Dy persona janë arrestuar nga njësia e antidrogës së Policisë së Kosovës të mërkurën, në rajonin e Gjilanit, përcjell Shqip.com.

Përmes njoftimit, PK ka treguar se fillimisht, njëri nga të dyshuarit është ndalur nga zyrtarët policorë, në fshatin Bresalc të Gjilanit, ku më pas ka tentuar që të ikë nga vendi i ngjarjes.

Marihuana e konfiskuar.

“Policia e Kosovës, njësia rajonale  e antidrogës në Prishtinë, në vazhdën e hetimit të rastit të koduar me emrin ‘Bardhoshi’ sot me datë 01.12.2021, në koordinim me prokurorinë e krimeve të rënda Prishtinë kanë realizuar një operacion policor ku fillimisht rreth orës 14:50 në magjistralen Prishtinë – Gjilan, saktësisht në fshatin Bresalc pas kërkesës së njësisë së antidrogës, një njësi e trafikut regjional të Gjilanit e ka ndaluar veturën e tipit Audi A6, me targa vendore…,

…të cilën ishte duke e drejtuar personi i dyshuar me iniciale (A. K.) mirëpo, pasi që zyrtarët policorë i kanë kërkuar që ta hapte bagazhin e veturës, i njëjti me shpejtësi është nisur nga vendi i ndaljes që t’i shmanget arrestimit”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.

Lexo edhe:
Suspendohet një polic, dyshohet se me djalin e tij rrahën një të mitur me aftësi të kufizuara në Kaçanik

Por, Policia ka arritur që të njëjtin ta arrestojë në komunën e Graçanicës, e ku më pas është bastisur banesa e tij, në të cilën janë sekuestruar 15.342 kilogramë drogë (marihuanë).

“Dy personat e lartcekur me iniciale dyshohen se kanë bërë transportimin e substancës narkotike e cila dyshohet të jetë e llojit Marihuanë. Pas matjeve, substanca narkotike rezulton të jetë me masë 15324.4 gram (pesëmbëdhjetë mijë e treqind e njëzet e katër, katër gram) apo 15.324,4 kg.

Aparatet e kriptovalutave të konfiskuara.

Dëshmitë/provat relevante si në vijim janë konfiskuar gjatë operacionit policor nga njësia e krim teknikës rajonale Gjilanit: D#1. 15324.4 gram ( 15 kg e 324.4gr.) lëndë narkotike e dyshuar e llojit marihuana, D#2. Vetura Audi A6, me targa  vendore, D#3. Vetura VW-Jetta,  me targa vendore, D#4. 1 Telefon cellular, D#6. 170 Euro”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Dy të dyshuarit, pas intervisimit, me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërkaq, operacionet e antidrogës janë zhvilluar edhe në Prizren, Pejë, kurse në Gjilan, gjatë realizimit të një bastisje dhe kontrolli në një shtëpi janë gjetur 33 aparate për prodhimin e kriptovalutave./SHQIP.com