Sport Ndërkombëtar

Armand Duka e ka bindur talentin shqiptar që deri më tash ka qenë pjesë e Italisë që t’i bashkohet Shqipërisë

FOTO: Sport Ekspres
FOTO: Sport Ekspres

Më mori edhe Armand Duka në telefon, ja çfarë më tha”! U thirr nga Atalanta e Gasperinit, flet babai i talentit 18-vjeç: Shënoi 170 gola në 1 sezon

Një brez i ndritur talentesh po vjen për Shqipërinë. Emigrimi dhe ikja në masë e shqiptarëve drejt vendeve të Evropës është plagë e madhe për shoqërinë tonë, por sa i përket futbollit, mund të themi se ka sjellë disa të mira.

Nëse duam të shohim pak dritë në fund të tunelit, ky është këndvështrimi i vetëm.

Kjo pasi familjet që zhvendosen në vende me më shumë mundësi punësimi, i krijojnë të gjitha kushtet e tyre fëmijëve që të ndjekin pasionet, për të mos vuajtur si ata dikur në moshën e hershme. Kështu Shqipëria gjen në gjirin e saj lojtarë të talentuar nga të gjitha anët e botës dhe shumë më tepër do t’i vijnë në vitet në vazhdim, veçanërisht nga Anglia.

Pa harruar edhe Italinë, që gjithmonë ka qenë shtëpi e dytë për shqiptarët. E në këtë vend është zbuluar një tjetër talent i ri, të paktën për ne mediat. Atalanta publikoi formacionin zyrtar ndaj Lecces dhe të gjithë u habitëm kur pamë në stol Endri Muhametin.

Mesfushori 18-vjeçar ishte në stol me ekipin e parë të drejtuar nga Gasperini. 1.90 i gjatë dhe me të majtën si këmbën e preferuar, Endri është zëvendës kapiten te ekipi i të rinjve të Atalantës. “Sport Ekspres” ka siguruar një intervistë me babain e këtij lojtari, Eduart Muhameti.

Më herët djali i tij ka luajtur edhe për moshat e Italisë, por Eduarti na tregon se presidenti i FSHF, Armand Duka, e ka telefonuar për ta bindur që futbollisti të jetë pjesë e Shqipërisë pasi shihet si potencial i madh për të ardhmen tonë.

“Po në fillim ka qenë me moshat e Italisë, më pas ka ardhur te Shqipëria. Mua më ka telefonuar edhe presidenti i FSHF, Armand Duka. Më tha se duhet ta sillja djalin te Shqipëria se shihet si potencial për të ardhmen e Kombëtares. Më tregoi se disa persona që ishin afër tij dhe ishin specialistë, e shihnin Muhametin me të ardhme të madhe. Për këtë arsye më kërkoi që Muhameti të luajë për Shqipërinë. Tani presim ndeshjet eleminatore dhe besojmë se këtë herë mund të jetë me Shqipërinë U-21”, deklaroi Eduart Muhameti.

/Shqip.com