Lajme

Arifi: Shqiptarët e Luginës duhet të kenë të drejta si të serbëve në Kosovë ose Lugina t’i bashkëngjitet Kosovës

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi

Kryetari i Komunës se Bujanocit, Nagip Arifi ka thënë se ekzistojnë dy mundësi lidhur me çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në një përgjigje për Shqip.com, Arifi tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet t’i kenë të drejtat si të serbëve në Kosovë ose Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitet Kosovës.

“Kam dhënë dy mundësi, dhe mundësia e parë është që të jepen të drejta nga të cilat përfitojnë serbët në Republikën e Kosovës ti kenë edhe shqiptarët në Serbi, me një fjalë pra të jetë funksion parimi i reciprocitetit. Mundësia tjetër është që shqiptarët ta ndjejnë vetën komod por edhe serbët dhe është një e mirë që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitët Kosovës ndërsa, për çështjen e komunave në veri të Kosovës, vendos Qeveria e Kosovës”, tha Arifi.

Arifi foli edhe për takimin që kishin përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë të Preshevës me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

“Para së gjithash mund të them se ishte një takim shumë i mirë dhe vëllazëror por biseduam edhe shumë çështje për të cilat po i preokupojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe e njoftuam zëvendëskryeministrin për problemet që i kanë shqiptarët në Serbi”.

Arifi tha se Bisilimi ju kishte premtuar atyre që problemet me të cilat përballën populli i Luginës së Preshevës do të jenë pjesë e bisedimeve edhe në Bruksel.

“Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës na ka premtuar se këto shqetësime të cilat i ka dëgjuar nga përfaqësuesit institucional të Luginës së Preshevës do i përcjellë jo vetëm të kryeministri Kurti, por do të jenë temë e bisedimeve edhe në Bruksel”.

Bislimi: Ka ardhur momenti që çështja e Luginës së Preshevës të marrë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare – SHQIP.com

Pas vizitës në Luginën e Preshevës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se ka ardhur momenti që çështja e Luginës së Preshevës të marrë vëmendje nga bashkësia ndërkombëtare.

Përmes një postimi në Facebook, Bislimi tha se problemet me të cilat përballën popullsia e Luginës duhet të trajtohen gjegjësisht.

“Ka ardhur momenti që çështja e Luginës së Preshevës të marrë vëmendje edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Problematikat serioze si shpopullimi, garantimi i të drejtave për shqiptarët, regjistrimi i popullsisë, njohja e diplomave, mungesa e investimeve nga institucionet, tashmë duhet të trajtohen gjerësisht”, shkroi Bislimi.

Bislimi tha se për Qeverinë është e rëndësishme garantimi i garancisë në të drejtat në mes qytetarëve të Luginës dhe serbëve të Kosovës./Shqip.com