Lajme

Arifi kërkon nga dy qeveritë shqiptare të jetësohet Fondi Kombëtar i Solidaritetit

Kryetari i listës Alternativa Demokratike Shqiptare, Shqiprim Arifi

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ka kërkuar nga dy qeveritë shqiptare që nisma e Fondit Kombëtar të Solidaritetit të jetësohet si mbështetje afatgjate për Luginën.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Arifi tha se kjo nismë ka qenë e para dy vitesh e cila duhet të jetësohet.

“Mbledhja e dy qeverive shqiptare që mbahet sot në Prishtinë, mes tjerash do të ketë si pikë diskutimi edhe mbështetjen financiare ndaj Luginës së Preshevës. Në këtë kontekst presim që në takimin e përbashkët të dy qeveritë tona, nisma e para dy viteve për krijimin e FONDIT KOMBËTAR TË SOLIDARITETIT të jetësohet”, shkroi Arifi.

Në kuadër të kësaj nisme, Arifi apelon tek të dy qeveritë shqiptare që të ndahen së paku nga tetë milion euro për mbështetje të projekteve në Luginë.

“Në kuadër të kësaj nisme apelojmë dy qeverive tona që të ndajnë së paku 8 milion euro, për mbështetjen e projekteve dhe mbajtjes gjallë të shqiptarëve në Luginë, përndryshe “nesër” do të jetë vonë”.

Sikur Arifi edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që të themelohet “Fondi Kombëtar i Solidaritetit”.

Lexo edhe:
Qeveria ndan 50 mijë euro ndihmë për Luginën e Preshevës

Ky fond është paraparë të shërbej si mekanizëm i përbashkët dhe mbështetës i shteteve amë për popullin shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Përmes këtij fondi janë paraparë financime të projekteve të ndryshme të cilat do të shërbejnë në zhvillimin e shqiptarëve në Serbi.

Lexo edhe:
Kjo është agjenda e mbledhjes së dy qeverive

Kurse, sot pritet të mbahet mbledhja e të dy qeverive shqiptare në të cilat pritën të nënshkruhen marrëveshje në mes të dy vendeve në fushën  e ekonomisë, arsimit etj.

Qeveria e Kosovës ka ndarë më herët 50 mijë euro në përkrahje të kauzës politike të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Kjo ndihmë u bë më kërkesën e Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësueseve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në mbështetje të aktiviteteve lobuese./Shqip.com