Lajme

Arifi fton për vizitë në Luginë të Preshevës Albin Kurtin

Kreu i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi ka ftuar për vizitë në Luginë të Preshevës, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Këtë kërkesë Arifi e ka bërë përmes një postimi në rrjetin social në Twitter.

“Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka konfirmuar vizitën e kryeministrit të Serbisë në Kosovë. Kështu, më 5 shtator, zonja Brnabiq udhëton në minoritetin serb në veri të Kosovës. Ftoj kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për vizitë zyrtare dyditore te shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka shkruar Arifi në Twitter.

Kjo ftesë e Arifit për Kurtin, vjen pasi që kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq pritet që të vizitojë Kosovën ditën e hënë me 5 gusht pas aprovimit nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Lexo edhe:
Ministria e Punëve të Jashtme i jep leje vizitës së Bërnabiq në Kosovë

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës,  i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq që ta vizitojë Kosovën me datën 5 shtator 2022. Dhënia e lejes për vizitë bazohet në  marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjellta të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së për Shqip.com.

Siç raporton radio kontakt plus, ajo gjatë vizitës njëditore do të qëndrojë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviç dhe Zveçan.

Ndryshe, kjo është vizita e saj e parë në Kosovë në rolin e kryeministres së Serbisë./SHQIP.com