Lajme

Arben Taravari hyn në koalicion me VMRO, për të përçarë votën e shqiptarëve

Momentet historike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duan t’i zbehin me çdo kusht! Prej ditës së diel, kryeministër i RMV është Talat Xhaferi, ish-komandanti i UÇK-së në vitin 2001, ndërsa ka mbajtur edhe funksione të larta shtetërore në disa qeveri nga ministër i Mbrojtjes e deri te kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Të gjitha këto në harkun e dy dekadave, zhvillime të cilat kanë shenjuar historinë e shqiptarëve. Për tre muaj, Maqedonia e Veriut do të qeveriset nga shqiptari Talat Xhaferi.

Vite më parë dukej mirazh i largët përfaqësimi i shqiptarëve shtetformues në pozitat e larta shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Por tanimë ky është realitet i pamohueshëm. Edhe pse askush nuk mund ta bëjë “një sy qorr” e “një vesh shurdh” kur flitet për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, por sigurisht biem dakord që e mira nuk ka fund. Ndërsa për nihilistët nuk do të ketë asnjëherë momente kulminante sepse ata udhëhiqen jo nga ndjenja e partiotizmit dhe vëlladashjes mes shqiptarëve, por nga interesa thelbësisht personale dhe të lidhura me zhvillime të momentit.

Kauza e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut nuk prevalon tek të gjithë përfaqësuesit e tyre politikë. Disa arritje të cilat tashmë janë të dokumentuara kanë ardhur vetëm si rezultat i këmbënguljes dhe insistimit të asaj elite politikanësh të cilët dolën nga lufta, mundi e sakrifica e vitit 2001. Pra, pa sakrifica, lumenj gjaku e djerse nuk ka arritje dhe çuarje përpara të të drejtave legjitime të shqiptarëve sepse i tillë është ambienti dominant aty me qasje të dukshme antishqiptare.

Por këto arritje nuk mund të shumëzohen me zero nga interesat e momentit.

Është shqetësues roli dhe qëndrimi i kryetarit të partisë “Aleanca për Shqiptarët”, Arben Taravari i cili edhe duke qenë pjesë e koalicionit qeverisës, prej rreth 1 viti tashmë, po përdor makinacione nga më të ndryshmet në dëm të interesave të shqiptarëve. Pra, një parti politike shqiptare e cila ka hyrë në qeverinë e LSDM-BDI me pajtimin e votuesve të saj shqiptarë dhe me qëllim kinse për të përfaqësuar e mbrojtur interesat e tyre (për këtë ka dalë garant vetë Taravari), po investohet në qasje të gabuar kundër shqiptarëve. Redaksia mëson nga burime të besueshme brenda partisë, se Arben Taravari po joshet nga segmentet ekstremiste të VMRO-DPMNE me qëllim që të futet në koalicion parazgjedhor me ta.

Makinacionet që ndjek partia opozitare VMRO-DPMNE për të përçarë shqiptarët janë të ditura botërisht. Është po e njëjta forcë politike që kultivoi Nikola Gruevskin dhe nacionalizmin e tij të sëmurë kundër shqiptarëve. E njëjta ideologji që për vite me radhë kërkonte të ulte numrin e deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

E njëjta filozofi dominon edhe lidershipin e ri të kësaj force politike, por edhe çdo strukturë të saj. Prandaj edhe bashkëpunimi me ekstremistët e VMRO-DPMNE të cilët kanë lidhje direkte me Beogradin dhe Serbinë e prej tyre marrin urdhra e porosi se si të “asfiksojnë” rolin e shqiptarëve shtetformues të Maqedonisë së Veriut e për më tepër t’ua reduktojnë atyre të drejtat e fituara, është më shumë se tradhti kombëtare.

Mbetet e paqartë sesi një politikan tashmë i afirmuar, ndonëse jo me një përvojë madhore, si Arben Taravari që të punojë për interesat e VMRO-DPMNE dhe të serbëve që fshihen pas tyre. Dhe përpjekja e VMRO-së që merr direktiva nga Beogradi, është që të zhvlerësojë sa të mundet përmes Taravarit, votën e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të 8 Majit. Siç mund të kuptohet, ky tashmë nuk është vetëm misioni i VMRO-së, por edhe i Arben Taravarit i shndërruar në “plaçkë tregu” për serbo-maqedonasit. Misioni i Taravarit nuk ndryshon nga ai i VMRO-DPMNE: Të zhvlerësojë në maksimum votën e shqiptarëve dhe për rrjedhojë reduktimin e numrit të deputetëve në Kuvend.

Zgjedhjet parlamentare po afrojnë dhe ato konsiderohen jetike për avancimin e mëtejshëm të të drejtave të shqiptarëve, por kjo varet nga votat dhe numrat në Kuvend. Në kushtet kur një forcë politike shqiptare shkon dhe hyn në “shtratin” e VMRO-DPMNE me kryetar “kukull” Hristian Mickoski duke ditur historikun e kësaj force politike kur ishte në pushtet disa vite më parë, qëllimi i parë është dëmtimi i interesave të kombit.

Pra, një mobilizim i tërë me energji politike e ato të pushtetit 1-vjeçar me LSDM e BDI në mazhorancë, që Taravari do t’i vendosë në dispozicion të ekstremistëve të VMRO-DPMNE dhe Nikola Gruevskit në ekzil duke lidhur koalicion me ta. Kjo po që është më shumë se tradhti! Por historia na mëson se tradhtarët e kanë fundin të shkruar. Ata përfundojnë në “koshin e plehrave” të historisë.

/Shqip.com