Teknologji

Aplikacioni i famshëm kinez, që po kërcënon sigurinë kombëtare

Foto ilustruese

TikTok është një platformë e mediave sociale për krijimin dhe shpërndarjen e videove të shkurtra. Aplikacioni përdoret për t’u shprehur përmes këndimit, kërcimit apo edhe sinkronizimit të buzëve, që i lejon përdoruesve të krijojnë video, ku më pas i ndajnë ato në komunitet.

Aplikacioni u lançua në vitin 2016 në Kinë nga kompania e teknologjisë “ByteDance”. Tani është disponueshëm në më shumë se 150 vende të botës. Kompania ka zyra në Pekin, Los Angjelos, Moskë, Indi, Kore të Jugut dhe Tokio.

Aplikacioni sot ka më shumë se 1 miliard përdorues të përditshëm.

Viteve të fundit është shtuar pyetja se a është i sigurt si aplikacion dhe se a paraqet rrezik serioz për sigurinë kombëtare të shteteve, për faktin se mund kontrollohet nga qeveria kineze.

Kompania pronare e TikTok, “ByteDance” ka këmbëngulur se drejtohet në mënyrë të pavarur dhe nuk ndan të dhëna me qeverinë kineze

Pavarësisht mungesës së provave për kërcënimin e sigurisë kombëtare të paraqitur nga TikTok , ai mbetet një shqetësim legjitim teorik, pasi historikisht Kina ka treguar një gatishmëri për të shfrytëzuar të dhënat e përdoruesve dhe ka autoritet të gjerë mbi kompanitë vendase.

Mentor Hoxhaj, ekspert i sigurisë kibernetike dhe udhëheqësi i Komunitetit për Siguri Kibernetike dhe Privatësi (CSP), për Shqip.com, ka folur rreth rrezikshmërisë nga aplikacioni TikTok dhe se si qëndron në raport me shtetin e Kosovës.

Ai thotë se debati rreth rrezikshmërisë nga aplikacioni TikTok nuk është i ri, e krejt kjo për shkak të përmbajtjes dhe mos kufizimeve për përdoruesit.

“Qeveria kineze ka qasje direkte jo vetëm në TikTok për në të gjitha prodhimet të cilat janë me bazë në Kinë. Ky shqetësim nuk është i ri. Debati për këtë aplikacion ka filluar që nga administrata Trump, ku ka kërkuar që të ndalohet plotësisht.

Shqetësimet në SHBA lidhen me sigurinë kibernitike dhe privatësinë. Në TikTok nuk ka kufizime fare, aty mund të gjesh çdo gjë, është një lloj darkweb. Aty ka kriminalitet, prostitucion, kontrabandë, e çdo gjë tjetër.  TikTok është një rrjet social që ka lejuar përdoruesit të publikojnë përmbajtje të cilat janë ilegale”, tha Hoxhaj.

“Sfidat: Aplikacioni ka qasje në mikfron të telefonave, në kamera. Kjo do të thotë se aplikacioni mund të regjistrojë biseda apo mund të xhirojnë e fotografojnë”

Mentor Hoxhaj, ekspert i sigurisë kibernetike

Ndërsa si çdo shtet tjetër i botës edhe Kosova është e rrezikuar në aspektin e sigurisë kombëtare nga ky aplikacion, thotë eksperti Hoxhaj.

“Autoriteti në Kosovë i cili do duhej ta ngriste si shqetësim është ARKEP-i në parim, i cili e ka për obligim të merret me mbrojtjen e institucioneve shtetërorë në hapësiren kibernetike. Lajmet për këtë aplikacion janë globale sepse ne e shohim se çka po ndodhë në botë dhe sigurisht se edhe shteti i Kosovës është i rrezikuar. Nëse flasim për zyrtarët e lartë shtetërorë është e logjikshme se ata mund të jenë target i këtij aplikacioni”, thekson ai.

Ai ka përmendur edhe Huawein si rrezik potencial, duke rekomanduar një aplikacion që ka siguri shumë më të madhe se sa TikTok.

“I njëjti shqetësim është për telefonin Huawei, i cili është edhe më i rrezikshem sepse aty ka edhe hardware, pra ka qasje direkte. Aplikacioni Whatsapp si shembull është shumë më i sigurt sepse të dhënat e kanë bazën në SHBA dhe kjo ka shumë rëndësi për faktin se cili shtet i posedon të dhënat”, ka thënë Hoxhaj në një përgjigje për Shqip.com.

Cilat vende e kanë ndaluar TikTok-un?

Të vetmet shtete që e kanë ndaluar plotësisht TikTok-un janë Afganistani dhe India. Kurse shtetet si më poshtë, e kanë ndaluar pjesërisht.

Australia

Më 4 prill, Australia ndaloi TikTok nga të gjitha pajisjet në pronësi të qeverisë federale për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Estonia

Në fund të marsit, ministri në largim i IT-së dhe tregtisë së jashtme të Estonisë, Kristjan Järvan, i tha një gazete lokale se TikTok do të ndalohet nga telefonat inteligjentë të lëshuar nga shteti për zyrtarët publikë.

Mbretëria e Bashkuar

Më 16 mars, Oliver Dowden, Sekretari i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar në Zyrën e Kabinetit, njoftoi në një deklaratë për Dhomën e Komunave të Mbretërisë së Bashkuar një ndalim të menjëhershëm të aplikacionit në pajisjet zyrtare të qeverisë.

“Ky është një veprim paraprak. Ne e dimë se tashmë ka përdorim të kufizuar të TikTok në të gjithë qeverinë, por është gjithashtu një higjienë e mirë kibernetike”, tha ministri në fjalimin e tij para deputetëve.

Franca

Më 24 mars, qeveria franceze ndaloi instalimin dhe përdorimin e aplikacioneve “rekreative” si TikTok, Netflix dhe Instagram në telefonat e punës të 2.5 milionë nëpunësve civilë.

Ndalimi, i cili u njoftua me një udhëzim “detyrues”, ka hyrë menjëherë në fuqi dhe nuk vlen për telefonat personalë të punonjësve të shtetit.

Holanda

Ministria e Brendshme holandeze ka dekurajuar përdorimin e të gjitha aplikacioneve nga “vendet me një program kibernetik agresiv që synon interesat e Holandës” në telefonat e shpërndarë nga qeveria.

Ai nuk identifikoi TikTok me emër, por këshilla pasoi një vlerësim nga agjencia kombëtare e inteligjencës AIVD që paralajmëroi se aplikacionet nga vende si Kina, Rusia, Koreja e Veriut dhe Irani mbartnin “një rrezik të shtuar të spiunazhit”.

Norvegjia

Më 23 mars, parlamenti norvegjez ndaloi Tiktok nga pajisjet e punës, pasi Ministria e Drejtësisë e vendit paralajmëroi se aplikacioni nuk duhet të instalohet në telefonat e lëshuar për punonjësit e qeverisë.

Ministrja e Drejtësisë Emilie Enger Mehl tha në një deklaratë se “në vlerësimet e tyre të rrezikut … shërbimet e inteligjencës norvegjeze veçojnë Rusinë dhe Kinën si faktorët kryesorë të rrezikut për interesat e sigurisë së Norvegjisë”.

Belgjika

Më 10 mars, Belgjika njoftoi se po ndalonte TikTok nga pajisjet në pronësi ose të paguara nga qeveria federale e Belgjikës për të paktën gjashtë muaj, duke përmendur shqetësimet për sigurinë kibernetike, privatësinë dhe dezinformimin.

Danimarka

Më 6 mars, Ministria e Mbrojtjes e Danimarkës njoftoi se do të “ndalojë përdorimin e aplikacionit në njësitë zyrtare” si një masë sigurie kibernetike.

Në një deklaratë, ministria tha se Qendra për Sigurinë Kibernetike e vendit skandinav – e cila është pjesë e shërbimit të inteligjencës së jashtme të Danimarkës – kishte vlerësuar se ekzistonte rreziku i spiunazhit.

Shtetet e Bashkuara

SHBA gjithashtu u dha agjencive qeveritare deri në fund të marsit për të fshirë TikTok nga pajisjet dhe sistemet federale për shqetësimet e sigurisë së të dhënave. Ndalimi zbatohet vetëm për pajisjet qeveritare, megjithëse disa ligjvënës amerikanë kanë mbrojtur një ndalim të plotë.

Më shumë se gjysma e 50 shteteve amerikane e kanë ndaluar aplikacionin nga pajisjet qeveritare.

Sidoqoftë, një përpjekje për të ndaluar funksionimin e plotë të TikTok në Shtetet e Bashkuara u bllokua në Senat më 30 mars.

Kanadaja

Pas lëvizjes së SHBA-së, Kanadaja njoftoi më 28 shkurt se po ndalonte TikTok nga të gjitha pajisjet e lëshuara nga qeveria, duke thënë se aplikacioni paraqet një rrezik “të papranueshëm” për privatësinë dhe sigurinë.

Punonjësit do të bllokohen gjithashtu nga shkarkimi i aplikacionit në të ardhmen.

Zelanda e Re

Më 17 mars, Zelanda e Re njoftoi se TikTok do të ndalohej nga telefonat e ligjvënësve të qeverisë në fund të muajit.

Ndryshe nga vendet e tjera si Britania e Madhe, ndalimi nuk prek të gjithë punonjësit e qeverisë dhe vlen vetëm për rreth 500 persona në kompleksin parlamentar.

Tajvani

Në dhjetor 2022, Tajvani vendosi një ndalim të sektorit publik për TikTok pasi FBI paralajmëroi se TikTok përbënte një rrezik për sigurinë kombëtare.

Pajisjet qeveritare, duke përfshirë telefonat celularë, tabletët dhe kompjuterët desktop, nuk lejohen të përdorin softuer të prodhuar në Kinë, duke përfshirë aplikacione si TikTok, ekuivalenti i tij kinez Douyin ose Xiaohongshu, një aplikacion kinez i përmbajtjes së stilit të jetesës.

Pakistani

Autoritetet pakistaneze kanë ndaluar përkohësisht TikTok të paktën katër herë që nga tetori 2020, duke përmendur shqetësimet se aplikacioni promovon përmbajtje imorale.

/Shqip.com