Lajme

Apeli konfirmon aktakuzën ndaj Skender Hysenit për mosraportim të pasurisë, avokati thotë se s’di gjë

Ish-koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni.

Gjykata e Apelit ka marrë aktvendim, me të cilin ka konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj Skender Hysenit, ish-Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit.

Në vendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Hyseni, avokatit Fatlum Podvorica refuzohet si e pabazuar.

Podvorica tha për Shqip.com se ende nuk e ka pranuar aktvendimin e Apelit.

“Nuk kam pranuar ende asgjë zyrtarisht”, tha ai.

Në anën tjetër, Hyseni me të dëgjuar pyetjen, ka fikur telefonin.

Shqip.com ka tentuar disa herë ta kontaktoj Hysenin por i njëjti nuk ka qenë më i qasshëm.

Gjykata e Apelit

Sipas aktakuzës së përpiluar në dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Hysenin se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë rezulton se më 14 gusht 2020 në Prishtinë, Skender Hyseni po akuzohet se në cilësi të zyrtarit të lartë publik – Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, me dashje nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë me rastin e marrjes së detyrës Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

Aktakuza thotë se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen”, viti i prodhimit 2013, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Skender Hyseni se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal, ku kreysi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit./Shqip.com