Lajme

Ankesat e autoshkollave – ministria ta heqë poligonin nga testimi, po e lënë veç për interesin e tyre

Ilustrim

Marrja e patentës së shoferit me poligon ka mbi katër vite që praktikohet në Kosovë. Megjithatë, autoshkollat vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë vendim të Ministrisë së Infrastrukturës.

Sipas përfaqësuesve të tyre, një ligj i tillë është vetëm humbje kohe për kandidatët. MI-ja thotë se kjo çështje kërkon analizë më të thellë, ndërsa ekspertët e komunikacionit vlerësojnë se testimi në poligon është më se i nevojshëm.

Kryetari i Shoqatës së Autoshkollave “Dardania” në regjionin e Prishtinës, Afrim Islami, deklaron se ka vite që dërgojnë shkresa me përmbajtje të njëjtë në Ministrinë e Infrastrukturës, por pavarësisht se ministrat janë ndërruar, asnjë nga ta përgjigje nuk u ka kthyer.

Sipas tij, testimi në poligon nuk ka fare rëndësi, vetëm “ua humb kohën kandidatëve”.

“Nuk është patjetër të ketë poligon, sepse kemi punuar pa të që 18 vjet, por ata për interesa të veta personale e kanë bërë këtë”, tha Islami në një prononcim për Shqip.com.

Ai ankohet se autoshkollat paguajnë sa herë hyjnë e dalin nga poligoni që ndodhet në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, për të cilin thotë se nuk është i licencuar – ndërsa në anën tjetër janë të obliguar nga ministria që të paguajnë edhe një poligon tjetër të autoshkollës.

“Është turp që paguajmë poligon të autoshkollës, por testimi bëhet në poligonin që ndodhet në Stacionin e Autobusëve. Ky poligon nuk është i licencuar e as nuk i plotëson kushtet minimale dhe ne paguajmë sa herë hyjmë e dalim nga aty”, pohoi Islami.

Nga Ministria e Infrastrukturës thonë se kërkesa për heqjen e poligonit kanë pranuar nga autoshkollat dhe se kanë zhvilluar takime me këto të fundit lidhur me temat të cilat i kanë prezantuar në shkresat e tyre.

Anulohet tenderi për ndërtimin e autostradës së Anamoravës | Ekonomia Online
Ministria e Infrastrukturës

Se a duhet të largohet poligoni nga testimi praktik MI-ja thotë se duhet një analizë, pasi “kemi të bëjmë me siguri rrugore”.

“Pas analizës duhet të ndërmerren hapat për ndryshime legjislative që e mbulojnë këtë fushë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Shqip.com.

Nga ky dikaster kanë hedhur poshtë pretendimet e Islamit se poligoni ku bëhet testimi i kandidatëve nuk është i licencuar dhe nuk plotëson kushtet elementare.

“Në marrëveshje me stacion të autobusëve përveç lokaleve e shfrytëzojmë edhe  poligonin sipas kontratës. Poligoni i plotëson kriteret e elementeve teknike të përcaktuar në shtojcën e Udhëzimit Administrativ  (MI) 14/2017 Për Dhënien e Provimit për Patentë Shofer”.

Në anën tjetër, Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit, vlerëson se testimi në poligon është i nevojshëm dhe nuk ka asnjë të metë.

“Në poligon kandidati aftësohet për lëvizje para mbrapa, pastaj për parkim që është shumë i nevojshëm, pra poligoni nuk duhet të largohet, përkundrazi, është e gabueshme nëse largohet kjo formë e testimit”, thotë Ahmeti për Shqip.com.

Ai shton se në Kosovë ka dukshëm numër më të madh të autoshkollave krahasuar me vendet e rajonit – dhe sipas tij, shumë prej tyre nuk i plotësojnë kriteret bazë./SHQIP.com