Lajme

Andin Hoti: Ditëve në vijim do të nisin gërmimet në Serbi

Andin Hoti kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur

Ditëve në vijim do të nisin gërmimet në një lokacion të dyshuar për varrezë masive në Serbi nga lufta e fundit në Kosovë.

Kështu ka thënë kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti.

“Këto ditë delegacioni i Kosovës, në Serbi do të fillojë gërmimet edhe në një lokacion të radhës. Por natyrisht ne kemi pritur dhe vazhdojmë me urgjencë t’i kërkojmë imazhet satelitore sepse ne kemi pasur disa informacione për lokacione të ndryshme në Serbi por jo të mjaftueshme”, tha Hoti.

Në anën tjetër, drejtuesi i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkini tha se në Bruksel ende nuk është bërë asnjë hap drejt zbardhjes së fatit të familjarëve të zhdukur.

Gërmimet në Kizhevak

“Në Bruksel e kanë qitë një pikë kanë thënë pika e parë e rendit të ditës është për të pagjeturit dhe aty ka mbet, rendi i parë, kur vinë thonë i kemi të pagjeturit. Thonë se në rend ditë është të pagjeturit, kur t’ju vijë shumë keq, diqysh, e gjejnë të pagjeturit. Asnjë hap nuk është bërë, asnjë hap nuk e kanë bërë prej asaj dite që kanë thënë se duhet të flitet për persona të pagjetur”, ka thënë Qerkini.

Qerkini ka thënë se kërkesë e familjarëve është që Kosova të kërkojë nga ndërkombëtarët presion mbi Serbinë në mënyrë që kjo e fundit të tregojë lokacionet e varrezave masive.

“Unë e di që kjo çështje nuk do të kryhet shpejtë unë e di se ne kemi probleme dhe plagë të pashënuara plot që 23 vjet, unë e di që sa herë u kemi drejtuar kësaj ndërtese, këtyre njerëzve të cilët duhet të na ndihmojnë, por jo vetëm këtyre por ju kemi drejtuar edhe ndërkombëtarëve. Ende po shkojnë punë të zhagitura apo mos kujdesi i tyre sa duhet”, ka thënë Qerkini.

Në Kosovë nesër shënohet Dita e të Zhdukurve derisa nuk dihet fati i më shumë se 1600 personave të zhdukur me dhunë nga Serbia gjatë luftës në Kosovë./Shqip.com