Sport Ndërkombëtar

Ancelotti: Real Madridi është favorite për të triumfuar në ndeshjen e dytë

Carlo Ancelotti
Carlo Ancelotti

Ndeshja e parë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve, mes Real Madridit dhe Manchester Cityt, përfundoi pa fitues.

Kësisoj, gjithçka ka mbetur e hapur për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet në “Etihad Stadium”.

Ndeshja e parë, që u zhvillua sonte në “Santiago Bernabeu”, përfundoi me rezultatin 1:1.

Vinicius Junior (36’) shënoi për “Los Blancos”, kurse Kevin De Bruyne (67’) për “Qytetarët”.

Pas ndeshjes, Carlo Ancelotti tha se edhe skuadra e tij është favorite për të triumfuar në ndeshjen e dytë dhe për të kaluar në finale.

“Ndjenja është e mirë, ne kemi garuar, kemi luftuar, e kemi planifikuar mirë ndeshjen dhe kemi një ndjenjë të mirë, rezultati nuk na shpërbleu, por është një barazim që do të jetë i tillë deri në minutën e fundit”, tha fillimisht ai.

“Në 30 minutat e para nuk ishim të shqetësuar, ishim të pozicionuar mirë në prapavijë dhe prisnim momentin për të bërë tranzicionin në mënyrë efikase. Në të dytën e arritëm fillimin më mirë nga prapa”, shtoi italiani.

Kurse, sa i përket ndeshjes së dytë, Ancelotti deklaroi: “Manchester City ka ndjenjën e një rezultati të mirë, po ashtu edhe ne. Luajmë jashtë shtëpisë, nuk kemi tifozë, por i kemi në zemrat tona”.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 17 maj, në “Etihad Stadium”.

/Shqip.com