Lajme Botë

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë: Organizata Hamas po vepron si ISIS-i

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv ka treguar në një intervistë me Adi Krastën për mizoritë që po i përjetojnë izraelitët këto ditë. Ziv tha se shtensionimi s’mund të ndodh në këtë fazë.

“Kemi të bëjmë për momentin me një organizatë ekstremisht mizore dhe të egër terroriste që, e dini, vepron si ISIS-i. Me gjakftohtësi ata vranë më shumë se një mijë izraelitë brenda një dite… 2,600 njerëz u plagosën, disa të plagosur rëndë”, tha ambasadorja.

Ajo tha se nuk dihet saktë numri i njerëzve që u morën peng dhe u dërguan në Rripin e Gazas, por tha se mes tyre ka “foshnja, gra shtatzëna, të moshuar, të mbijetuar të Holokaustit”.

“Dua të them se ku kemi parë një mizori të tillë në botë. Unë mendoj se hebrenjtë nuk kanë parë një mizori të tillë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe Holokausti dhe kurrë nuk janë masakruar një sasi e tillë hebrenjsh brenda një dite”, tha Ziv.

Ambasadorja tha se tash siguria e Izraelit para se gjithash “varet nga dobësimi i Hamasit në atë mënyrë që të mos jetë në gjendje të vazhdojë të jetë një organizatë terroriste”.

Ziv tha se në tre ditët e fundit Hamasi ka kryer masakra e ka lëshuar 4,500 raketa mbi popullsinë izraelite në mbarë vendin.

“Kështu që unë mendoj se përpara se të flasim për një plan për të krijuar një lloj marrëveshjeje, Hamasi si një organizatë terroriste e cila mbështetet nga Irani dhe nuk do të ishte në gjendje të vepronte siç veproi pa mbështetje logjistike, financiare, mbështetje profesionale.. kjo së pari duhet të trajtohet dhe vetëm më pas mendoj se do të jetë e mundur të diskutohet çdo lloj zgjidhjeje me popullin palestinez që nuk është terrorist, por ne nuk mund të merremi me terroristët”, tha ajo.

Tamar Ziv tha se mendon se populli izraelit kurrë nuk ka “kaluar nëpër diçka të tillë”.

“Kjo është hera e parë që një katastrofë e tillë e tmerrshme ndodh në Izrael. Njerëzit janë në gjendje shoku, janë në traumë, i gjithë vendi është në një traumë për momentin. Ne as nuk jemi në gjendje të kuptojmë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Historitë dalëngadalë po dalin. Dëshmitë e njerëzve që arritën të mbijetojnë po fillojnë dalëngadalë. A e dini se pikërisht sot në mëngjes kemi gjetur 110 trupa izraelitësh në një fshat të vogël të tronditur, por nga ana tjetër ne po fillojmë të hakmerremi për t’i luftuar këta terroristë”, tha ambasadorja.

Gazetarët e BBC dhe New York Times janë lejuar të hyjnë në Kibbutz Kfar Aza, një komunitet izraelit në kufi me Gazan, ku janë vrarë njerëz kur Hamasi e kaloi kufirin të shtunën. Në mesin e të vrarëve kishte foshnje dhe fëmijë. Ushtarët izraelitë që kaluan pjesën më të madhe të ditës në rrënoja duke tërhequr trupat e civilëve thanë se kishte ndodhur një masakër.

/Shqip.com