Lajme

Ambasada e SHBA dhe delegacioni i BE në Tiranë dënojnë kërcënimet e krimit ndaj SPAK (REAGIMET)

Kërcënimet e botës së krimit nuk kursejnë as sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Dëshmitë e njëpasnjëshme të një të penduari zbardhën se i shumëkërkuari Laert Haxhiu kishte shënjestruar dy prokurore, njëra prej të cilave anëtare e SPAK, me qëllim vrasjen e tyre.

Ngjarja ka tronditur themelet e shtetit ndërsa çështja bëhet akoma edhe më e rëndë po sjellim në vëmendje se ishte dëshmia e një të arrestuari pas një grabitje në “Astir” (lagje e Tiranës) që zbardhi të gjithë skenarin mafioz, fatmirësisht i pajetësuar. Një krim ordiner i hetuar dhe i zbardhur, më pas i dokumetuar me dëshmi të gjalla, na riktheu në kohërat e mafies siçiliane në vitet ’80-’90 kur shënjestronte gjyqtarë dhe prokurorë me qëllim parandalimin e hetimeve të krimeve. Kërcënimet nga krimi ndaj anëtarëve të sistemit të drejtësisë në Shqipëri kanë sjellë edhe reagimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Tiranë.

Reagimet e SHBA dhe BE
Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë kanë shprehur shqetësimin për kërcënimet e njerëzve të drejtësisë që janë marrë në mbrojtje pas rrëfimit të të penduarit Artan Tafani i cili tregoi për planin e grupit të Laert Haxhiut për eliminimin e prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe prokurores së shkarkuar në vetting të Lushnjës, Merita Selimi.

Në reagimin e saj ambasada e SHBA shkruan se hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcënime apo frikësim. Ambasada nënvizon mbështetjen e palëkundur të SHBA-së, për zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilët po luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar me guxim, si dhe janë gati të mbështesin përpjekjet e tyre.

“Një sistem drejtësie që funksionon pa frikë dhe kërcënime është kërkesë legjitime e popullit shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për kërcënimet për dhunë ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit që po punojnë për ta bërë Shqipërinë të sigurt, të begatë dhe më demokratike. Hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcenime apo kanosje. Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilët po luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar me guxim, si dhe janë gati të mbështesin përpjekjet e tyre”, njofton ambasada.

Nga ana tjetër, delegacioni i BE nënvizon se autoritetet shqiptare të hetojnë me shpejtësi këto kërcënime dhe të vënë para përgjegjësisë autorët.

“Delegacioni i BE-së në Shqipëri është thellësisht i shqetësuar për kërcënimet e bëra ndaj autoriteteve të drejtësisë që punojnë çdo ditë në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare për të hetuar me shpejtësi këto kërcënime dhe për të mbajtur përgjegjës autorët. BE-ja mbështet plotësisht të gjithë zyrtarët që punojnë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, dënon çdo formë sjelljeje kërcënuese ndaj tyre dhe vazhdon të mbështesë vendin në përpjekjet e tij për forcimin e shtetit të së drejtës”, thuhet në reagim.

Edhe ambasada britanike iu bashkua reagimeve të faktorit ndërkombëtar. Në një reagim thuhet se, “Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’i mbështesë prokurorët dhe gjyqtarët në misionin e tyre jetik për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë”.

6 prokurorë merren në mbrojtje
Ishte dëshmia e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani, ajo që ngriti në këmbë institucionet kryesore të drejtësisë dhe sigurisë në vend. Përveç Doloreza Musabelliut nga SPAK dhe prokurores së shkarkuar nga KPK në Lushnje, Merita Selimi, të cilat sipas Artan Tafanit ishin objektiv i Laert Haxhisë, mësohet se vitet e fundit, janë gjashtë prokurorë të pajisur me mbrojtje të posaçme për shkak të kërcënimeve që kanë marrë gjatë ushtrimit të detyrës.

Në mbrojtje janë edhe prokurorët e Elbasanit, Kreshnik Ajazi dhe Ritvan Sukaj, për shkak të hetimit të dosjes së vrasjeve në Elbasan dhe dënimeve me burg përjetë të anëtarëve të fisit Çapja. Mbrojtje ka marrë edhe prokurori i Vlorës Albert Kuliçi, të cilit në vitin 2019 iu vendos tritol në makinë ndërsa po hetonte disa nga ngjarjet më të rënda në qytet.

Një tjetër prokuror në mbrojtje është Arjan Muça, aktualisht me detyrë në KLP, i cili në vitin 2021 gjeti një sasi eksplozivi të vendosur pranë automjetit të parkuar në zonën e komunës së Parisit në kryeqytet. Në radhët e gjyqtarëve të posaçëm, në mbrojtje është Etleva Deda, për shkak të vendimmarrjes në disa prej çështjeve që ka shqyrtuar vitet e fundit.

/Shqip.com