Lajme

Aliu: Në Beograd e kam bërë të qartë se do ta ndërtojmë hekurudhën Durrës-Prishtinë

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu

“Në Beograd e kam bërë të qartë se do ta ndërtojmë hekurudhën Durrës-Prishtinë. Edhe me Malin e Zi e kemi bërë të qartë që do ta bëjmë për Deçan-Plavë, pavarësisht që s’ka pasur marrëveshje. Këto i kam sqaruar edhe në Beograd, kjo ka qenë detyrë e imja dhe e kam kryer detyrën time”.

Kështu është shprehur Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ne seancën e Kuvendit të enjten, pasi i pyet nga deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, se çka ka diskutuar gjatë vizitës në Beograd.

Lexo edhe:
Aliu për marrëveshjen në Beograd: Pati kërkesë për linjën Prishtinë-Nish

Tutje, Kadrijaj ka pyetur Aliun nëse është aprovuar kërkesa e tij për ndërtimin e autostradës Prizren-Tetovë.

“Ende nuk kemi autostradë që lidh Prishtinën me Gjakovën dhe Pejën. Pse është prioritet i kësaj qeverie ndërtimi i kësaj autostrade?”, ka pyetur ajo.

Depytetja e AAK-së, Time Kadrijaj

Ndërkaq, ministri Aliu ka thënë se rruga Prishtinë-Pejë do të vazhdojë të jetë prioritet i Qeverisë, duke shtuar se projekti nuk është anuluar dhe do të vazhdojë menjëherë sa të kryhet rivlerësimi i shpronësimit.

“Përveç që lidh Prizrenin me Tetovën ka edhe një aspekt të rëndësishëm. Përpos një pjesë e madhe që do të mund të lidhen me Shkupin më shpejtë, një pjesë e madhe e udhëtarëve nga Republika e Shqipërisë do të lidhen më shpejtë me Shkup. Rruga Prishtinë-Pejë do të vazhdojë të jetë prioritet i Qeverisë. Nuk e kemi ndalë, e kemi ndalë shpronësimin të cilit do t’u bëjmë vlerësim”, ka thënë ai.

Ministri Aliu ishte në Beograd rreth dy muaj më parë. Gjatë vizitës zyrtare atje, ka marrë pjesë në Samitin e Hekurudhave për Ballkanin Perëndimor.

Në kryeqytetin serb, Aliu ka nënshkruar marrëveshje me ministrat e pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor që ka të bëjë me modernizimin e korridoreve dhe linjave hekurudhore./SHQIP.com