Lajme

Aliu për marrëveshjen në Beograd: Pati kërkesë për linjën Prishtinë-Nish

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, të mërkurën duke folur për marrëveshjen e nënshkruar në Beograd, ka thënë se ka të bëjë me modernizimin e korridoreve dhe linjave hekurudhore.

Po ashtu ka bërë të ditur se në Samitin e Hekurudhave për Ballkanin Perëndimor, është kërkuar të ndërtohet një linjë nga Prishtina për në Nish.

Lexo edhe:
Aliu në Beograd, për të nënshkruar marrëveshje për hekurudhën

Por, sipas tij, një projekt i tillë do të kishte efekt vetëm nëse lidhet edhe me Durrësin.

“Ky vit që jemi nga BE-ja është i shpallur si viti i hekurudhave është mbajtur Samiti që ishte në Beograd, kohë më parë në Lubjanë pastaj në samitin e radhës të kemi edhe në Prishtinë dhe temë diskutimi ishte hekurudhat dhe ajo çka u nënshkruar kanë të bëjë me modernizimin e korridoreve dhe linjave hekurudhore që të mundësohet një transport normal ndërmjet vendeve të Ballkanit”.

“Ajo çka kam ngritur tjetër është çështja e korridoreve të reja, është kërkuar që të bëhet një linjë nga Prishtina në Nish, por kjo do të kishte kuptim nëse do të lidhej me Durrësin, dhe kjo nënkupton që të kemi qarkullim të mallrave”.

Aliu në fillim të kësaj jave ka qëndruar për vizitë zyrtare në Beograd për të marrë pjesë në Samitin e Hekurudhave për Ballkanin Perëndimor. Në kryeqytetin serb, Aliu ka nënshkruar marrëveshje me ministrat e pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor që ka të bëjë me lidhjen e rajonit me hekurudhë.

Lexo edhe:
Lekaj-Aliut: Ne me marrëveshje për hekurudha në Berlin, kurse ju në Beograd

Më 14 shkurt të vitit 2020, delegacionet nga Kosova dhe Serbia në Mynih janë dakorduar për autostrada dhe atë për hekurudha përmes së cilave të dy vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me Bashkimin Evropian./SHQIP.com