Lajme

Aliu: Larguam çfarëdo lloj mundësie për bllokimin e terminalit doganor në Hanin e Elezit

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu në një konferencë për shtyp ka deklaruar se janë hequr të gjitha pengesat të cilat ishin vendosur nga një operator privat i cili kishte bllokuar terminalin doganor në Hanin e Elezit.

Kamionët që hynin transit në afërsi të pikës kufitare të Hanit të Elezit obligoheshin që të paguanin një taksë në vlerë deri 40 euro pasi nga operatori privat i cili pretendonte se transportuesit nuk kishin të drejtë që të kalonin në atë pjesë.

Mirëpo ministri Aliu deklaron se pengesat ishin vendosur nga operatori privat në pronat e Agjencisë Kosovar të Privatizimit.

Thotë se Qeveria e Kosovës ka vendosur për shpronësimin e parcelave të AKP-së me qëllim që të pamundësohet në të ardhmen çfarëdo lloj tentimi për bllokimin e rrugës.

“ Zhbllokimi i rrugës ndodhi javën e kaluar kurse në mbledhjen e Qeverisë ne kemi marr vendim që të shpronësojmë pronat të cilat janë në menaxhim të AKP-së. Pronat të cilat janë në menaxhim të AKP-së është e drejtë ligjore t’i shpronësojmë dhe t’i kthejmë në pronësi të shtetit. Në këtë mënyrë eliminojmë çfarëdo lloj mundësie që të kemi bllokim të tillë. Pengesat të cilët ishin vendosur ishin në pronë të AKP-së. Ne nuk do të lejojmë monopole në Kosovë”, ka thënë ai.

Kurse ministri i Infrastrukturës ka folur edhe për gjendjen e rrugëve pas reshjeve të fundit të dëborës. Sipas tij, të gjitha rrugët në Kosovë janë të zhbllokuara. “Sa i përket reshjeve të borës Ministria është e mobilizume dhe tërë kohën me të gjithë operatorët me qenë në terren për zhbllokimin e rrugëve. Mëngjeset munden me qenë të vështira mirëpo sepse ballafaqimi në orët e para me reshjet e borës mundet të ketë pengesa në qarkullim. Rrugët kryesisht janë të zhbllokuara mirëpo në orët e hershme të mëngjesit ka mundur të ketë probleme”.  ka shtuar ai.