OP-ED Kolumne

Albin Kurti nga “Zajednica nuk kalon me asnjë kusht” në – Zajednica kalon kur të çel selxhja, rrush!

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti për themelimin e Zajednicës kanë qenë të qarta për të gjithë. E, në veçanti për ata të cilët përmes votës ia kanë dhënë legjitimitetin për të qeverisur. Njëjtë siç kanë qenë të qarta qëndrimet dhe veprimet e të gjitha partive të tjera në raport me këtë temë.

Kohë më parë, Opozita në emër të një “uniteti politik” karshi Serbisë, pranoi ftesën e kryeministrit për të bashkërenduar qasjen karshi dialogut.

Megjithatë, pavarësisht brishtësisë së numrave të partive opozitare, këmbëngulja e tyre për zbatimin e marrëveshjeve paraprake ishte në shpërputhje me fuqinë e tyre politike. E, venitja e peshës së tyre politike erdhi si rezultat edhe i lëshimeve të shumta në tavolinën e dialogut.

Në vend se të reflektonin dhe të nxirrnin mësim nga koncesionet e bëra në të kaluarën, të cilat Serbinë e kthyen si lojtare më të fuqishme në dialog, Opozita preferoi t’i qëndrojë besnike vendimeve të së kaluarës. Rrjedhimisht, sapo negociatorët kërkuan themelimin e Asociacionit, zëri i tyre nisi të ushtojë në parlament dhe nëpër studiot televizive.

Të bindur gabimisht se edhe Kurti do të bjerë nën ndikimin e presionit dhe do të bënte lëshime, Opozita po fërkonte duart duke pritur momentin kur do të thoshte: Ja, edhe ky është i njëjtë si ne! Por, ky moment nuk po vinte. Albin Kurti pas çdo presioni vetëm ndryshonte radhitjen e fjalive që në përmbajtje bartnin porosinë e njëjtë: Nuk e themeloj Zajednicën.

Madje, së fundmi paraqiti edhe një sërë kërkesash për ta konsideruar një veprim të tillë, kërkesa të cilat në thelb, duke e njohur qëndrimin e Serbisë, vetëm sa e shpjegonin se sa e pamundur do të jetë jetësimin i ëndrrës së saj!

Pra, nëse Albin Kurti dikur thoshte Zajednica nuk kalon me asnjë kusht, tash e ka ndryshuar në: Zajednica kalon “kur të qel selxhja, rrush”! Së paku kjo nënkuptohej nga kushtet e vendosura, e që në thelb kishin një porosi të vetme: Zajednica nuk do të bëhet kurrë, së paku jo me këtë Qeveri!

Kjo ishte edhe gracka në të cilën ra me lehtësi Opozita, pa përjashtim. Këtë qëndrim u munduan ta interpretojnë si lëshim, e kur në fakt ishte saktësisht e kundërta, kryeministri Kurti po e betononte qëndrimin tashmë edhe nga pozita e të parit të Qeverisë.

Koha e kompromiseve ka kaluar qëmoti. Kosovës i janë mohuar shumë të drejta të cilat do të duhej t’i kishte qëmoti. Pushtetarët e saj në të kaluarën lejuan që të tjerët t’ia gjykonin edhe historinë, madje edhe të ulen në tavolinë si palë të “barabarta në krim”. Krejt kjo u bë në emër të kërkesave të miqve ndërkombëtarë dhe vullnetit të mirë ndërfqinjësor.

Tash është koha që Kosova të kërkojë atë që i takon. Është koha që të tregojmë respektin maksimal ndaj atyre që ia dhanë çdo gjë këtij vendi, e së paku dinjitetin minimal ndaj vetvetes! Në të kundërt, copëtimi i këtij vendi do të jetë çështje kohe. Nëse ne nuk do ta shohim, fëmijët tanë pa dyshim se po.

/Shqip.com