Kulturë

Albana Beqiri / Prag ditëlindjeje

Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare
Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare

Shkruan: Albana Beqiri

PRAG DITËLINDJEJE

Deri atë ditë ke menduar se janë gjëra që ndodhin botës së madhe, por nuk të ndodhin ty, mbase nuk e ke menduar thellë këtë punë, mbase si gjithë gjërave të tjera të këqija të kësaj bote iu ke kaluar pranë, por ke menduar se nuk të prekin ty, por të tjerë njerëz që megjithë keqardhjen për ta fatmirësisht nuk janë ti, mbase ke menduar shumë gjëra ose asgjë, por ke vazhduar jetën tënde brenda asaj që ti e mendon si lumturi e që e merr të mirëqenë për tërë jetën. Njësoj si ta zëmë shëndetin.

Atë shëndetin që fillon e merr teposhtën në një moment që ti nuk e pret dhe brenda një të qintës së sekondës e gjithë bota të shembet nën këmbë.

Ekuilibrat të kanë humbur, bashkë me to dhe siguria e një jete të tërë, të duket vetja qenia më e brishtë dhe më e pambrojtur në planet e mbase dhe je derisa ditë më vonë, do të takosh plot të ngjashëm si ti.

Spitaleve!

Korridoreve të tyre, sallave të kimioterapive!

Por deri atëherë ti vazhdon të mbetesh qenia më e pambrojtur në planetin që ti fillon e kupton se është i përjetshëm, por ti jo, ti je një pikë uji në oqeanin e madh të dhembjes e që një ditë do të shterësh. Në një ditë të afërt!

Uffff!

Sa vështirë e ke ta marrësh veten, më vështirë ta pranosh se e gjithë kjo po të ndodh ty, pikërisht ty që e ke ditur se çdo ditë sëmundjet prekin miliona njerëz, por jo ty!

Toka vazhdon të të shembet nën këmbë, por përderisa nuk të ka përpirë ende të duhet të kthjellesh, për veten dhe për të tjerët rrotull teje, por para së gjithash për veten. Ja ke kaq borxh vetes, duhet ta shpiesh si të mundesh deri te ditëlindja e radhës, ky është misioni yt i vetëm në këtë realitet të ri e vrastar!

Mbijetesa!

Ditë pas dite do ta kuptosh lëkurës tënde sesa e rëndë është pesha e mbijetesës, aq e rëndë sa nganjëherë bëhet e përballueshme dhe ti do të dorëzohesh, t’i japësh fund luftës absurde me një armik tinëzak që s’të del përballë, por të ka hyrë trupit tënd, t’i japësh fund makthit e frikës së papërballueshme se ditëlindja që po afrohet do të jetë e fundit që ti do mund të festosh.

Por nuk dorëzohesh dhe e di pse?

Sepse e ke kuptuar tashmë se jeta është dhuratë e se tash e tutje çdo ditë deri te ditëlindja e radhës është dhurata më e bukur që të është bërë ndonjëherë, prandaj për ty është luks dorëzimi.

Gjatë rrugës së vështirë me përballjen e kësaj situate të makthshme, madje në krye të kësaj rruge ti fatmirësisht ke kuptuar një gjë, atë se alternativat para teje janë të limituara. Mundesh të dorëzohesh dhe të ikësh nga kjo botë pa luftuar, mundesh të luftosh fort e sërish të ikësh nga kjo botë si luftëtare dhe mundesh të luftosh fort e të mundësh sëmundjen e të festosh sa e sa ditëlindje të tjera!

Shpresa sado e vakët është aty dhe ti e ndjen në lëkurën tënde vërtetësinë e teoremës së njohur jetësore se, shpresa vdes e fundit!

Prandaj lufton, lufton dhe vetëm lufton!

Me shpresën se mbase do të fitosh!

Prandaj edhe kur trupi e shpirti lodhen nga dhembjet ti nuk jepesh, zgjohesh çdo mëngjes e lumtur (aq sa mund të jesh e lumtur në një situatë të tillë) se t’u dhurua edhe një ditë tjetër, vendos që në mëngjes maskën e njeriut të fortë e të paepur dhe i qesh ditës së rëndë që ke përpara, u qesh problemeve, dhimbjeve e frikërave të tua njësoj si u qesh miqve të tu, me sinqeritetin e njeriut që e do jetën dhe vlerëson çdo gjë që i është dhuruar.

Madje dhe sëmundjen, sidomos atë!

Ti je kthyer në një luftëtare, nuk është se e zgjodhe të ishe e tillë, një Zot e di sa do doje që e gjithë kjo të ishte vetëm një ëndërr vërtet e makthshme, por thjesht ëndërr, që pastaj kur të zgjoheshe prej saj t’i ktheheshe asaj jetës tënde të dikurshme të rehatshme e të lumtur në atë paditurinë perfekte për atë që të priste.

Por edhe pse nuk është një zgjedhje, por vetëm një mjet për mbijetesë, ti megjithatë je një luftëtare!

Nga ato që i qesh jetës dhe problemeve të tua çdo mëngjes, sepse ti e di se nëse ja ke dalë (deri tani) me sëmundjen asnjë problem apo dhembje tjetër nuk do mund të të mposhtë më, përballë frikës së vdekjes, secili problem tjetër për ty është “llokum me arra”, të cilin mund ta hash me një kafshatë.

Ndihesh mirë nën lëkurën e luftëtares, sepse ja ke dalë, deri te ditëlindja e radhës që po afrohet.

Prandaj nga të gjitha festat, atë të ditëlindjes e do dhe e ndjen më së shumti.

Atë ditë (që po afrohet) harron çdo dhembje dhe vuajtje të përjetuar dhe i gëzohesh vetëm faktit që ja dole, deri këtu ja dole dhe je gjallë!

Feston për jetën, për jetën dhe vetëm për atë!

Si ai fëmija që nis festimet që një muaj më parë, vetëm se ti nuk kërkon dhurata. Dhuratën e ke marrë tashmë: ditëlindja e radhës!

/Shqip.com