Kulturë

Albana Beqiri / E humb kuptimin gjithçka

Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare
Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare

E HUMB KUPTIMIN GJITHÇKA

E humb kuptimin gjithçka. Edhe dita, edhe nata.
As andrra nuk asht ma andërr. Mëngjesi terrohet.
E hidhun ma pelin se pelini shijon qiellzës mjalta.
Atje tej horizontesh që bien në det, një dhimtë shpirti
hap sytë e buhavitun e zgjohet.
E pamundun asht me e kuptue a ishte sod a dje.
Gjithçka, gjithçka përmbyset. Kur ti nuk je!

E humb kuptimin gjithçka. E sotmja bahet e shkueme.
Dhe nji zjarr i hershëm shue asht shirave që qiellit pikin,
hana braktis qiellin, zbret tokës e udhve vrapon e hutueme
atje tej dritares që nuk asht ma e tillë, yjtë fluturojnë
e pakuptue si, veten ndezin e fikin.
E pamundun asht me e kuptue a ishte sod a dje.
Gjithçka, gjithçka përmbyset. Kur ti nuk je!

E humb kuptimin gjithçka. Edhe deka e ftoftë, edhe jeta.
Thahet dhe deti i shkrumbuem i dashunisë që n’shkretinë kthehet
e n’kaosin e ditnatës askush nuk e dallon rrenën nga e vërteta
Atje tej bregores së andrrës nji dritë e prarueme dashunie
i qesh vetes n’pasqyrë dhe zbehet.
Gjithmonë e ma e pamundun bahet me e kuptue a ishte sod a dje.
Gjithçka, gjithçka përmbyset. Kur ti nuk je!

As shtëpia e dashunisë nuk asht ma shtëpi.
E as libri i palexuem libër nuk asht ma,
pa ty, pa ty… gjithçka asht zhyt n’verbni
pa ty as unë vetvetja ma nuk jam.

/Shqip.com