Lajme

Aktivisti për të drejtat e LGBTI: Nuk ka kod, fe, shtet e as pushtet që na ndalon dashninë

Lend Mustafa

Aktivisti për të drejtat e personave LGBTI+ në Kosovë, Lend Mustafa ka reaguar pasi një parti politike dhe disa deputetë kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër votimit për ndryshimin e Kodit të ri Civil ku përmes tij do të lejohet martesa ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

Mustafa përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë se nuk ka shtet që ua ndalon atyre dashurinë.

“Nuk ka kod, nuk ka fe, nuk ka shtet e as pushtet që na ndalon dashninë”, thuhet në postimin e tij.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje, ka deklaruar se nuk do të votoj pro lejimit të martesave të gjinisë së njëjtë.

Të njëjtin qëndrim mban edhe Grupi Parlamentar i AAK-së.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri deklaroi se vendimi ka ardhur si shkak i kërkesave të shumta që i kanë marrë nga elektorati.

Flamuri i LGBTI+

Udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë kanë nënshkruar të mërkurën një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës bëhet thirrje që në Projektkodin Civil, të mos bëhen ndryshime sa i përket martesës dhe familjes.

Madje, ata i kanë bërë thirrje Qeverisë të tërhiqen ndërsa  deputetëve u kanë kërkuar që të mos e votojnë në Kuvend.

Në seancën e 24 shkurtit, do të hidhet në votim projektkodi që përfshin një nen i cili i hap rrugën hartimit të një ligji të veçantë për lejimin e “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë./Shqip.com