Lajme

Aktakuzë ndaj gjashtë personave, dyshohet se kanë prodhuar, shitur dhe transportuar marihuanë dhe kokainë

Prokuroria Speciale e Kosovës gjatë ditës së sotme ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave pasi të njëjtit dyshohet se kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit të organizuar.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

“Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit B.I., Sh.I., M.I., U.Q., F.M dhe A.Z. me dashje dhe dijeni në mënyrë aktive kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit të organizuar, të cilët me qëllim që vetit ti sjellin përfitime pasuror të kundërligjshme, janë marrë pa autorizim me prodhimin, përpunimin, blerjen, transportin dhe shitjen e narkotikëve të llojit- Marihuanë dhe Kokainë”, thuhet në njoftim.

Në bazë të është bërë e ditur se të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale ‘’Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’’ nga neni  277 paragrafi 1 të KPRK-së lidhur me veprat penale ‘’Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’ nga neni 267 paragrafi 2 të KPRK-së dhe ‘’Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge  apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’’ nga neni 268 paragrafi 1 të KPRK-së.

Po ashtu është bërë e ditur se i pandehuri B.I. ka pasur në pronësi dhe posedim pa autorizim, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm për armët-Ligji nr. 05/L-022, neni 3 paragrafi 2, armë dhe municion të cilat janë gjetur me rastin  e zbatimit të Urdhër kontrollit të Gjykatës dhe janë sekuestruar nga Policia e Kosovës./Shqip.com