Lajme Ballkan

Aksion për lirimin e plazheve publike, policia mbledh 489 çadra dhe shezlongë në Sarandë

Policia e Sarandës ka intensifikuar kontrollet në vijën bregdetare me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit.

Siç raporton Abc News është liruar hapësira në vijën bregdetare, në vendin e quajtur “Pema e thatë”, në Ksamil.

Po ashtu, janë proceduar penalisht administratori dhe pronarja e subjektit, e cila kishte zënë hapësirën publike me shezlongë dhe çadra, të vendosura pa lejen përkatëse, të cilët po ashtu nuk kanë lëshuar kupon tatimor për shërbimin e ofruar.

Me këtë aksion të Policisë, janë sekuestruar 489 çadra dhe shezlongë.

“Shërbimet e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Sarandë, kanë liruar hapësirën publike, duke hequr 489 çadrat dhe shezlongët që ishin vendosur pa lejen përkatëse, në vendin e quajtur “Pema e Thatë””, thuhet në njoftim.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, si dhe rasti u iniciua si “Pushtimi i tokës”./Shqip.com