Lajme

Aksion para KPK-së për mosndëshkimin e prokurorës Kasaloviq lidhur me rastin e vrasjes së Lirije Qerimit

Aktivistët nga organizata  Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, kanë organizuar një aksion para Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Sipas njoftimit të bërë nga kjo organizatë, ky aksion është realizuar lidhur me vendimin që prokurores Stojanka Kasaloviq t’i shqiptohet vetëm vërejtje publike me shkrim, në lidhje me vrasjen e Lirije Qerimit nga burri i saj, Skënder Qerimi, në Skenderaj.

“Me 1 janar, Lirije Qerimaj e raporton në polici dhunën nga bashkëshorti dhe kërkon udhër-mbrojtje. Përkundër kësaj kërkese, prokurorja e rastit, Stojanka Kasaloviq e lë të lirë Skënder Qerimajn, duke ia mundësuar vrasjen e Lirijes. Më vonë, prokurorja e rastit Stojanka Kasaloviq merr vetëm vërejtje me shkrim për neglizhimin e saj që ia mori jetën Lirijes”, thuhët në njoftimin e KMVF-së.

Sipas kësaj organizate mosndëshkueshmëria e prokurores në fjalë paraqet sinjal që shteti vazhdon të mos t’i shoh vajzat dhe gratë.

“Dështimi i shtetit për t’i dalur në mbrojtje Lirijes kur ajo kishte kërkuar, e bënë bashkëfajtore atë në vrasjen e saj. Prokurorja Kasaloviq në këtë rast e përfaqëson dorën e shtetit e cila refuzon të përgjigjet kur vajzat e gratë kërkojnë siguri e ndihmë. Mosndëshkueshmëria e saj na jep sinjal që shteti vazhdon të mos i shoh e dëgjojë vajzat e gratë, duke i lënë kështu në alarm dhe pasiguri të thellë, e shpesh edhe të vrara”.

Lirije Qerimi është vrarë nga burri i saj me 6 janar të vitit 2022, pesë ditë para ngjarjes tragjike ajo kishte raportuar në polici për dhunën sistematike që po ushtrohej ndaj saj nga bashkëshorti, Skënder Qerimi.

Kallxo.com kishte paraqitur rastin se si prokurorja Stojanka Kasaloviq kishte liruar në procedurë të rregullt të dyshuarin për vrasjen Lirijës, kurse Këshilli Prokurorial i Kosovës ndaj të njëjtës ka shqiptuar masë disiplinore./Shqip.com