Lajme

Aksidenti i rëndë në magjistralen Hani i Elezit-Kaçanik, vdes një 76-vjeçar

Një aksident i rëndë ka ndodhur në magjistralen Hani i Elezit-Kaçanik pak pas mesnatës, ku si pasojë ka vdekur një 76-vjeçar dhe është lënduar një 23-vjeçare.

Rastin e ka konfirmuar për Shqip.com, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Më datën 13.05.2023 në ora 00:06 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Hani Elezit-Kaçanik, tek vendi i quajtur ‘Kulla me qeshmë’ ka ndodhur një aksident komunikacioni, e përfshimë një veturë me targa vendore. Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur, derisa vetura po qarkullonte nga Hani i Elezit në drejtim te Kaçanikut dhe me të arritur tek vendi i quajtur ‘Kulla me qeshmë’, për çështje të panjohura humb kontrollin mbi veturë dhe kalon në anën e kundërt te lëvizjes, bije në hendek dhe përfundon në hekurudhë. Për pasojë e këtij aksidenti në vendin e ngjarjes humb jetën pasagjeri Q.S (M/K) i moshës 76, vdekja e të cilit është konfirmuar nga mjekët kujdestar”, deklaroi ai.

Veseli theksoi se lëndime ka pësuar shoferja Xh.S (F/K) e moshës 23 vjeçare, e cila pasi merr ndihmën e parë mjekësore në Kaçanik, për tretman të mëtutjeshme mjekësor dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

“Ekipe të policisë dhe Njësia e Hetimeve të Aksidenteve, nën autorizim të prokurorit kujdestar i kanë marrë masat e nevojshme për hetim, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për Obduksion”, tha ndër tjera ai.

/Shqip.com