OP-ED Kolumne

“Aksham-pazari” i Sindikatës së Arsimit ku tregtohet “dija”

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Dijes në Kosovë i është vënë çmim qëmoti. Pasi që vendi u mbush me numrin më të lartë të diplomuarve që jetojnë në shtetin ku shqetësim vazhdon të mbetet papunësia e lartë, tash në formën më të vrazhdë ky realitet shpërfaqet edhe në ekranet televizive.

“Ajka e dijes” në Kosovë, e koncentruar në kryesinë e SBASHK-ut tashmë na janë bërë të çdonatshëm, si dikur prezantuesit e motit.

Aq të llastuar duken sa më shumë sesa për shtesat e mësimdhënësve, përkujdesen për praninë e medieve. Dhe, mediat nuk kanë se si të mungojnë në këtë “reality-show” ku protagonistët duan të shpallen edhe heronj.

Mundësisht edhe bustet e tyre të vendosen para çdo shkolle ku do të na kujtohet koha e marrëzisë kolektive që nisi menjëherë pasi e shkatërruam arsimin në Kosovë.

Në anën tjetër është një Qeveri e cila nuk lëshon pe. Ndonjëherë me tone më të buta, e ndonjëherë ke fjalor me të ashpër, përpjekja e tyre është që të dëshmojnë se kanë bërë maksimumin në rrethanat që gjendet shteti ynë.

Aty këtu, ndonjë zë i arsyeshëm mundohet të vë theksin tek të drejtat e fëmijëve, tek dëmi që iu shkaktohet atyre. Por, opinioni tashmë është ndarë në dy taborre.

Opozita fërkon duart me të drejtë. 25 mijë mësimdhënës potencial të irrituar mund të përkthehen në votë për ta. Ndërsa, Qeveria është e vetëdijshme se mbi të gjitha kanë të drejtë të irritohen prindërit që janë shumë më të tepërt në numër.

Synon përkrahjen e tyre dhe mundohet t’i bind se janë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme, por kanë qenë të pamjaftueshme për ata që mbajnë të bllokuara institucionet arsimore.

Ndërsa prindërit janë ata që ballafaqohen me pamundësinë e përballimit të një sistemi ku çdo gjë vështirësohet.

Çmimet shtrenjtohen, të ardhurat mbesin të palëvizshme, taksat dhe shpenzimet komunale mbeten po të njëjtat. Kërkesat e fëmijëve rriten, e bashkë me to edhe brenga për të ardhmen e tyre. Mllefi që akomodohet, herët apo vonë do të zbrazet diku.

Opozita shpreson se në drejtim të Qeverisë, ndërsa vendimmarrësit përpiqen të shfajësohen me shpresën se barra e përgjegjësisë nuk do të bie mbi ta.

Greva është kah fundi. Kah fundi është edhe durimi i prindërve të cilët gjatë këtyre muajve dëgjuan shumë akuza në drejtim të njërës palë apo tjetrës. Por, mbi të gjitha ishin dëshmitar të gjuhës së “aksham-pazareve” ku dija shitet si një leckë e vjetër, si mall i dorës së dytë. Siç është edhe portreteti i SBASHK-ut sot.

*Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë./Shqip.com