OP-ED Kolumne

Akademia e Shkencave të Kosovës, shpërblen akademikët me gjuhë rrugaçësh!

Objekti i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës
Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Nuk janë të paktë ata që mendojnë se kjo legjislaturë në Parlamentin e Kosovës është ndër më të papërgatiturat që nga koha e pasluftës. Por, jo rrallëherë, publiku ka pasur mundësi të shoh edhe skenat që përmbanin gjuhë jo parlamentare, apo thonë troç, rrugaçëri partiake.

Megjithatë, kur arrihet deri në ato përmasa sa kjo gjuhë të përdorët edhe nga ata që bartin titujt e akademikëve, natyrshëm lind pyetja se në çfarë drejtimi është nisur kjo shoqëri e cila letërnjoftim të saj i ka të zgjedhurit me votë. Elitë e saj do të duhej të ishin intelektualët të cilët janë pjesë e institucioneve më të larta shkencore.

Por, ja që në realitetin e përditshmërisë sonë, Kuvendi i Kosovës ishte dëshmitar i ofendimit të paprecedentë të deputetit Kujtim Shala, i cili është edhe akademik në Akademinë e Shkencave të Kosovës.

Kujtim Shala, u bë pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm në vitin 2016, në kohën kur Isa Mustafa ishte kryeministër i Kosovës. Ose, thënë ndryshe, 1 vit pas nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë kur pala kosovare obligohej ta themelonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ka zëra që thonë se Isa Mustafa heshtjen e bashkëpartiakut, Kujtim Shalës, e bleu duke e bërë vend në Akademi, e cila qëmoti është shndërruar në çerdhe të LDK-së. Sido që të jetë e vërteta, që nga ajo kohë, deputetit Kujtim Shala nuk ju dëgjua më zëri. Madje, atij i ndahej nga Akademia e Kosovës edhe “Shpërblim Kombëtar” në vlerë të rreth 18 mijë eurove, duke i çuar të ardhurat vjetore të tij në 72 mijë e 144 euro.

Heshtja e Kujtim Shalës i cili të gjitha gradat shkencore, i kishte mbërritur brenda 4-5 viteve, në rrethana kur secilit studiues i duhen mesatarisht 8-10 vite, u trazua në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës kur ai në adresë të Albin Kurti, lëshoi një sharje të padëgjuar më parë nga goja e një “akademiku”.

Mllefi ishte aq i papërmbajtshëm, sa që ai nuk pranoi të kërkonte falje ashtu siç e obligonte rregullorja e Kuvendit. Me cinizëm u përgjigj- vërejtjen mund të ma dërgoni me postë!

Heshtja e deputetit që bëri kompromis me Marrëveshjen për Asociacionin, pas së cilës e fitoi një ulëse në Akademinë e Shkencave të Kosovës, u trazua në seancën ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po raportonte për Marrëveshjen e Ohrit.

Në ato çaste, “akademiku” nuk po fliste për interesat e shtetit, siç edhe mund të pritej nga opinioni, por zgjodhi të shpërthente nga mllefi që kishte ndaj një njeriu – Albin Kurtit. Njeriut i cili e pensionoi kastën zhvatëse të politikanëve të vjetër, duke ua vështirësuar përfitimin e privilegjeve të cilat i vinin në të kaluarën nga pushteti.

Privilegje nga të cilat ka përfituar edhe “akademiku” Kujtim Shala që më shumë do të mbahet mend për rrugaçërinë politike sesa për veprimtarinë artistike.

/Shqip.com