Lajme

“AGK duhet mbrojtur gazetarinë para gazetarëve”

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Agron Demi, ka reaguar pas publikimit të audio-incizimit të fundit nga Shqip.com, që lidhet me bisedën telefonike të redaktorit të portalit të Insajderi.org, Visar Duriqi, i cili pranon të publikojë lajme me pagesë.

Demi thotë se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duhet të mbrojë gazetarinë para se të mbrojë gazetarët.

Ai me anë të një postimi në Facebook, thotë se AGK po heshtë kundrejt këtyre rasteve në vend se të udhëheqë prej Kodit Etik të Mediave.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, para se me i mbrojtë gazetarët, duhet me mbrojtë gazetarinë.  Para se me u udhëheqë prej kodit të heshtjes ‘Omerta’, duhet me u udhëheqë prej Kodit Etik të Mediave”.

Në bisedën telefonike të siguruar nga Shqip.com, vihet në pah shkelja më e madhe profesionale që një gazetar mund të bëjë brenda profesionit, sipas Kodit të Mediave të Shkruara në Kosovë.

Visar Duriqi, autor i emisionit “InDoks”, në këtë bisedë futet në pazar lajmesh me Halit Sahitajn, të cilin vetë portali Insajderi.org, në një dokumentar e kishte portretizuar si njeri të dyshuar që punon për shërbime sekrete ruse.

Në telefonatën e realizuar në verën e vitit 2020, Duriqit i kërkohet nga Sahitaj të publikojë disa lajme me pagesë. Duriqi, në anën tjetër, i referohet Sahitajt si “Boss”.

Demi thotë se nuk është gazetari me përly e shpërla figura me pare.

Autori i emisionit “InDoks” dhe redaktori i portalit Insajderi.org, Visar Duriqi, pranon që të publikojë lajme me pagesë. Porositësi është Halit Sahitaj, të cilin vetë Duriqi në emisionin e tij e kishte portretizuar si agjent i dyshuar rus. Duriqi veç çmimin për lajm nuk mund ta vendosë vetë. Prandaj, i thërret në konsultë eprorët e tij.

Ajo çfarë pranon të bëjë Duriqi bashkë me shefat e tij, është pranim i mitos.

Pranimi i mitos – parave – për të publikuar lajme është i dënueshëm rëndë me Kodin e Mediave të Shkruara në Kosovë.

Në kreun e VIII të kodit (korrupsioni dhe mitoja) thuhet se gazetarët e kanë të ndaluar të pranojnë mito, veç tjerash, që komprometon kredibilitetin e tyre moral dhe profesional.

Madje, sipas të njëjtit kod, gazetarët nuk bën të pranojnë as “akte specifike të zemërgjerësisë të cilat do të mund të ndikojnë në pavarësinë e tyre profesionale”. /Shqip.com