Lajme

AGK dhe KMSHK: Thirrja e Pacollit është kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave

Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës  janë shprehur të shqetësuar nga deklarata e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit.

Pacolli ka kërkuar rregullim qeveritar të mediave sidomos atyre të shkruarave, AGK-ja dhe KMSHK-ja e kanë quajtur si veprim të papranueshëm dhe “kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave”.

“Thirrja e hapur e deputetes Pacolli për ndërhyrje direkte të Qeverisë për kontroll ndaj mediave është e papranueshme për AGK-në dhe KMShK-në dhe paraqet rrezik për lirinë e medias në vend”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Sipas AGK-së, shumica e mediave janë regjistruar si biznese në ARBK, po ashtu edhe pjesa tjetër funksionojnë në bazë të ligjeve përkatëse.

“Mediat, shumica e të cilave janë të regjistruara si biznese në ARBK, kurse një pjesë tjetër si OJQ, rregullojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet ligjeve përkatëse në Kosovë dhe rregulloreve të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës – Press Council of Kosovo”

Tutje, AGK-ja tha se çdo tentim i Qeverisë për të ushtruar kontroll mbi mediat është tentativë e papranueshme për të ndërhyrë në punën e tyre.

Lexo edhe:
Pacolli i bëri thirrje Kuvendit dhe Qeverisë që të marrin masa ndaj mediave për identifikimin e pronësisës së tyre

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka bërë thirrje që Qeveria dhe Kuvendi të marrin masa ndaj mediave në Kosovë.

Sipas Pacollit, ka ndërhyrje në media dhe po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazhe politike.

“Viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online, të cilat po përdoren për qëllime biznesore dhe për shantazh politik. Pra këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe Qeverisë që të marrim masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave, transparencën si dhe me identifikimin e pronësisë së mediumeve”, ka thënë Pacolli

Pacolli, këtë e tha teksa foli për raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën./Shqip.com