Sport Shqiptar

Agim Ademi kërkesë për komunat: Klubeve t’u ndahet toka për ndërtimin e stadiumeve për 99 vjet

Agim Ademi

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ishte në vizitë të dielën nëpër stadiumet dhe fushat e ndryshme të klubeve kosovare, për t’u njohur nga afër me gjendjen e tyre.

Ai vizitoi stadiumet në Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë, me ç’rast edhe u bëri thirrje komunave që klubeve t’u jepen në shfrytëzim për 99-të vite.

Lexo edhe:
Ademi i bën thirrje ministrit Çeku: Vepro sa më shpejtë për stadiumin në Gjilan, Pejë e Mitrovicë

Madje, Ademi përmendi rastin e festivalit ‘Sunny Hill’ si shembull që duhet ndjekur edhe për stadiumet e klubeve të futbollit.

“Po ashtu, u sugjeroj klubeve përkatëse që veprojnë në këto stadiume që të kërkojnë nga komunat ku e zhvillojnë aktivitetin që t’u jepen stadiumet në shfrytëzim në afat të gjatë prej 99 vjetësh (siç u veprua në Komunën e Prishtinës, që iu nda toka festivalit ‘Sunny Hill’ për 99 vjet)”, ka shkruar ai në Facebook.

Agim Ademi në fushën me bari sintetik në Gjilan

Ademi shtoi se kjo metodë ka filluar të zbatohet dhe se i jep mundësi FFK-së, UEFA-s dhe FIFA-s të investojnë në stadiume.

“Konsideroj se kjo është një metodë me të cilën duhet të veprohet edhe për stadiumet e futbollit dhe jam i lumtur që ky ligj ka filluar të të zbatohet në praktikë nga Kuvendet Komunale, pasi kjo na jep mundësi neve si FFK që të investojmë me fondet e UEFA-s dhe FIFA-s në këto stadiume”, ka shkruar i pari i FFK-së.

Ademi i bëri kërkesë të njëjtë edhe kryetarit të Suharekës, Bali Muharremaj, që të vazhdojë me investime dhe që FC Ballkanit t’i jepet toka e stadiumit në shfrytëzim për 99-të vite.

“I lutem kryetarit të kësaj komune, Bali Muharremaj që të vazhdojë edhe më tutje me investime në infrasturkturën e futbollit dhe të çojë përpara procesin që FC Ballkanit t’i jepet në shfrytëzim për 99 vjet parcela për ndërtimin e stadiumit”, ka theksuar ai më tutje në Facebook.

Përndryshe, Agim Ademi po ashtu bëri thirrje për ndërtimin e reflektorëve nëpër stadiume, në mënyrë që ndeshjet të zhvillohen përgjatë mbrëmjeve. /Shqip.com