Ademi i bën thirrje ministrit Çeku: Vepro sa më shpejtë për stadiumin në Gjilan, Pejë e Mitrovicë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka vizituar disa nga stadiumet e klubeve të ndryshme të dielën, me ç’rast u njoftua për gjendjen e tyre.
Pjesë e vizitës së tij ishte edhe ‘Stadiumi i Qytetit” në Gjilan, terren ky që gjendet në fazë ndërtimi që nga viti 2017.
“Sot isha për vizitë edhe në stadiumet e Gjilanit, në fushën me bari sintetik të ndërtuar nga federata dhe në Stadiumin e Qytetit, ku takova mirëmbajtësinë e fushës dhe punëtorin e madh, Avdullah Syla (Dulla), e ku nga afër e pashë gjendjen e fushave”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facabook.
Po ashtu, i pari i FFK-së nga aty i bëri thirrje Ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, që të veprojë sa dhe të përfundojë punimet në stadiumet në Gjilan, Pejë dhe Mitrovicë, si dhe stadiumet tjera.
“Edhe një herë kërkoj dhe e lus ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku që të veprojë sa më shpejtë, në mënyrë që të përfundojnë projektet e ndërprera të stadiumeve në Gjilan dhe në Pejë, por edhe në stadiumet e tjera, të cilat janë në punim e sipër, e sidomos stadiumi olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, pasi është bërë goxha kohë që kanë filluar punimet”, ka shkruar Ademi.
Ministri Çeku kishte thënë para disa javësh se ngecjet në punimet e këtyre dy stadiumeve, janë e pasojë e problemeve procedurale juridike bashkë me hezitimin e kompanive të kontraktuara si shkak i shtrenjtimit të materialeve ndërtimore. /Shqip.com