Lajme Botë

Afrika e Jugut: 15 të vdekur pasi persona të armatosur hapën zjarr në një lokal në qytezën Soweto

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Afrikën e Jugut në një lokal në qytezën Soweto. 15 persona mbetën të vdekur pasi persona të armatosur hapën zjarr në një lokal, raporton theguardian.

Sulmi në vendbanimin informal Nomzamo ndodhi pak pas mesnate kur një grup burrash mbërritën me një minibus Toyota dhe hynë në lokal.

Zëdhënësi i Policisë Kombëtare, Dimakatso Sello tha se tashmë janë krijuar edhe ekipe për të hetuar ngjarjen.

“Nuk kishte histori problemesh me tavernën për sa i përket policisë, por qyteti ka qenë i vështirë për ne sepse nuk ka energji elektrike dhe kështu është shumë errësirë,” tha Sello.

Qyteti Nomzamo është një nga pjesët më të varfra të Sowetos, një qytet satelit në periferi të Johanesburgut i bërë i famshëm nga roli që luajti gjatë luftës kundër aparteidit. Shumica e Soweto tani konsiderohet relativisht e pasur. Turistët vërshojnë në muze, restorante dhe në shtëpinë e Nelson Mandelës, një milje apo më shumë larg skenës së të shtënave.

Mosha e pirësve është kthyer në fokus pasi 21 adoleshentë u gjetën të vdekur në një tavernë në qytetin e Londrës Lindore dy javë më parë. Shkaku i këtyre vdekjeve nuk është bërë ende i ditur nga autoritetet, por viktimat as nuk u qëlluan dhe as u shtypën në një rrëmujë./Shqip.com