Lajme

Abraham: Për momentin mungon fundamenti për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë

Deputeti gjerman, Knut Abraham ka thënë se për momentin mungon fundamenti për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

Ai ka thënë se është i shqetësuar për zhvillimet dhe situatën në veri të Kosovës.

“Jam shumë i shqetësuar për zhvillimet në veri të Kosovës, sepse situata këtu po përkeqësohet. Dhe kjo është absolutisht e dëmshme për aspiratat e përbashkëta të Serbisë dhe Kosovës drejt Evropës”, është shprehur Abraham.

Abraham më tutje ka thënë se pala serbe duhet ta kuptojë se nuk mund të ketë qasje të dyfishtë.

“Është e nevojshme të flitet me të dyja palët. Mbi të gjitha shoh se pala serbe duhet të kuptojë se nuk mund të ketë një qasje të dyfishtë. Nuk është e mundur të zhvillohen normalisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe në të njëjtën kohë të luhet me zjarrin në veri të Kosovës”.

Po ashtu deputeti gjerman ka folur edhe për atë se a ka bërë mjaftueshëm shteti i tij lidhur me këtë situatë.

“Unë tashmë mund të shoh se qeveria federale është aktive në rrafshin diplomatik. Por sigurisht, kur shohim sa keq është situata, lipset më shumë. Mendoj se do të ishte mirë që shumë shpejt të ketë një diplomaci intensive me vizita nga Berlini në rajon, në mënyrë që edhe ne të bëjmë tonën, krahas asaj që duhet të bëjë Brukseli për të qetësuar situatën”.

Deputeti Gjerman nuk ka ngurruar të flasë edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe planin franko-gjerman.

“Unë besoj se kjo është një zgjidhje që mund të ndodhë në planin afatgjatë. Një masë e tillë kërkon besim absolut në besnikërinë e qytetarëve që i përkasin një kombësie tjetër. Dhe nëse kjo besnikëri nuk ekziston, siç po vihet re tani, duke pasur parasysh shembujt negativë në veri të Kosovës, atëherë mungon fundamenti për një asociacion të tillë të komunitetit serb. Në terma afatgjatë, mendoj se kjo është një ide, së cilës mund t’i qaset një shteti i fortë dhe sovran. Por kërkon bazamentin e duhur dhe një plan. Dhe një hap i tillë nuk mund të bëhet me detyrim, kur besimi mungon në mënyrë të dukshme”.

Abraham gjykimin ndaj Sali Mustafës e ka quajtur një aktgjykim të ashpër, i cili sigurisht ngjalli kujtimin e ngjarjeve të tmerrshme që ndodhën kundër shqiptarëve të Kosovës në atë kohë, por edhe vuajtjen e shumë serbëve, raporton DW.

/Shqip.com