Lajme

Abelard Tahiri rikthen temën e armëve me shurdhues

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka folur për armët shurdhuese të cilat janë bërë temë edhe gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës.

Për posedimin e këtyre armëve ka raportuar ekskluzivisht SHQIP.com shtatë muaj më parë.

Lexo edhe:
(Dokument) Abelard Tahiri me para të shtetit bleu armë të personalizuar

Tahiri sonte në Politiko tha se në vitin 2011, Zyra e Kryeministrit aso kohe Hashim Thaçit ka blerë armë shurdhuese, e procedurat e të cilave janë nënshkruar nga vet Tahiri.

“Ato janë armë të cilat janë ble nga Zyra e Kryeministrit në vitin 2011. Në atë kohë unë kam rastis me qenë shef i kabinetit që i kam nënshkruar procedurat e blerjes së atyre armëve për kabinetin e Kryeministrit. Pra, janë armë të gjata. Nuk janë armë që ju takojnë këshilltarëve por armë, që i përdorin zyrtarët e sigurimit të kryeministrave”, tha Tahiri në Politiko.

Ndryshe, Shqip.com ka siguruar dokumentin e prokurimit, në të cilin figuron blerja e tri armëve për stafin politik.

Në mesin e tyre rezulton të jetë ish-shefi i kabinetit, Abelard Tahiri, ish-shefi i stafit Bekim Çollaku dhe Isni Thaçi.

Lexo edhe:
(Dokument) Përveç me armë e fishekë, kabineti i Thaçit del të jenë pajisur edhe me shurdhues

Madje, Tahiri armën e tij e kishte personalizuar, duke shkruar mbi të emrin dhe mbiemrin.

Po, ashtu kabineti i qeverisë së ish-kryeministrit Hashim Thaçi kishte blerë pesë paisje të cilat për funksion kishin ndaljen e zhurmës së armëve të zjarrit.

Në dokumentin e siguruar nga SHQIP.com të datës 2 mars 2011, figuron se kabineti ishte furnizuar fillimisht me pesë armë dhe në kuader të po të njëjtës blerje, ishin blerë edhe pjesë të tjera si shurdhues.

Bashkë me pjesët përcjellëse ato kishin kushtuar 19 mijë euro.

Përveç armëve ata kishin blerë edhe 20 mijë fishekë.

/Shqip.com