Lajme

Abdixhiku: Ta lësh Kosovën pa aleatë, është tradhëti

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Investimi më i madh i Serbisë në Kosovë ka qenë krijimi i bindjes se vendi ynë duhet të ecë pa aleatë; në veçanti pa koordinim me ShBA-të. Ky investim ka prekur figura me ndikim në pushtet siç ka prekur dhe analistë të pushtetit që në vazhdimësi ushqejnë këtë bindje.

Kështu ka thënë përmes një reagimi në Facebook, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Sipas tij as në ëndërrat më të mira Serbia nuk do ta kishte pritur një përfundim ku Kosova do e normalizojë distancimin me aleatët e vendeve mike.

“Kush do ta kishte menduar një fitore të tillë të Serbisë?! As në ëndrrat më të mira të tyre, nuk është menduar që Kosova do të normalizojë distancimin nga aleatët tanë kaq lehtë e kaq shpejtë. As në ëndrrat më të mira të Serbisë nuk është pritur ky përfundim i Kosovës me shtetet që i kanë dhënë dhe lirinë, dhe demokracinë dhe pavarësinë”, ka theksuar Abdixhiku.

Tutje ai ka shkruar se ecja me SHBA-të në një vijë, është akt patriotik.

Kujtojmë se ditën e djeshme, i pari i LDK-së, ka marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri Kurti për takim me krerët opozitar.

Ndërsa në mbrëmje, në mbledhjen e kryesisë së LDK-së, Abdixhiku i kishte informuar zyrtarët e partisë se çka është diskutuar në takimin e mbajtur, duke e përsëritur thirrjen se Kosova duhet të veprojë në koordinim të plotë me SHBA-të dhe BE-në.

/Shqip.com