Lajme

Abdixhiku: Qeveri e paaftë, 75 ditë pa ministër të Shëndetësisë

Lumir Abdixhiku, Kryetari i LDK-së
Lumir Abdixhiku, Kryetari i LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas skandalit që ndodhi në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se kanë kaluar 75 ditë që kur Ministria e Shëndetësisë ka mbetur pa udhëheqësin e saj

“Sot bëhen 75 ditë që Kosova nuk ka Ministër të Shëndetësisë; të tretin në më pak se dy vite qeverisje. Plot 75 ditë për të caktuar një përgjegjës – një njeri të vetëm – në krye të sektorit më të rëndësishëm të shoqërisë kosovare”, shkroi Abdixhiku.

Abdixhiku tha se skandalet në spitalët e Kosovës tashmë kanë adrese.

“As kaq pak s’mund të bëjnë! As kaq pak s’mund t’i japin shëndetësisë. Ndërsa, do të duhej të flisnim për spitale të reja, pajisje e barna më shumë, paga më të larta, shërbime më të denja e sigurime shëndetësore për qytetarë që shpenzojnë qindra miliona euro jashtë vendit – ne jemi në pritje të një ministri pas 75 ditëve. Dhe as kaq pak s’mund të bëjnë; as edhe një ministër ta caktojnë. Qeveri e paaftë. Qeveri e papërgjegjshme. Skandalet në spitalet tona kanë adresë!”.

Në Spitalin Rajonal të Pejës së fundi ka ndodhur një ngjarje e pazakontë.

Foshnja e vdekur futet në lavatriçe në Spitalin e Pejës, nisin hetimet – SHQIP.com

Një foshnje e vdekur është futur në lavatriçe e pështjellur së bashku me çarçafë.

Lajmin e ka konfirmuar për shqip.com, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj.

Kurmehaj tha se tashmë kanë nisur hetimet për këtë rast.

“Po ju konfirmoj se rasti ka ndodhur dhe ne si prokurori kemi ndërmarrë veprime e duhura për zbardhje të rrethanave”, tha Kurmehaj.

Mehaj konfirmoi se foshnja ka qenë e vdekur kur ka ndodhur edhe ngjarja.

Ndërsa, lidhur me rastin Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka suspenduar shtatë punonjës.

/Shqip.com