Lajme

Abdixhiku kërkon mbështetjen e EPP-së për Kosovën për liberalizim e anëtarësim në Këshill të Evropës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në kongresin dyditor të Partive Politike Evropiane EPP, i cili i përfundoi sot punimet.

Abdixhiku ka kërkuar mbështetje nga liderët që ishin të pranishëm në kongres, në procesin e liberalizimit të vizave, në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe ngritjen e vëmendjes së Evropës karshi Kosovës dhe Ballkani Perëndimor.

“Vlen të theksohet se gjatë këtij Kongresi, me sponzorizimin e partisë më të madhe austriake, Die Volkspartei (ÖVP) partisë së kancelarit austriak, Karl Nehammer, u votua rezoluta në mbështetje të liberalizimit të vizave për Kosovën. Me votat dërmuese të delegatëve të EPP, dhe me miratimin edhe të partive tona simotra që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, rezoluta bën thirrje për mbështetjen e shtetit tonë dhe qytetarëve tanë në këtë të drejtë bazike dhe tashmë të vonuar”, thuhet në njoftimin për media.

Ai po ashtu ka falënderuar këto vende për mbështetjen e vazhdueshme që po e bëjnë për Kosovën.

“Kryetari Abdixhiku, ka falënderuar Partinë Popullore të Austrisë (OVP), në veçanti Sekretaren për Marrëdhënie me Jashtë, Monika Reiner dhe eurodeputetin Lukas Mandl për sponsorizimin e kësaj rezolute dhe përkushtimin e vazhdueshëm që tregojnë për Kosovën. Poashtu, falënderoj edhe Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë të EPP-së, Patrick Voller në sigurimin e mbështetjes së nevojshme”.

Gjatë këtij kongresi bëhet e ditur se është zgjedhur edhe kryetari i ri, Manfred Weber, i cili ka marrë besimin e mbi 447 delegatëve nga gjithsej 502 delegatë të EPP-së./SHQIP.com