Lajme

Abdixhiku: ‘Fukarallëku mendor’ i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të shoqërisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se “fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të shoqërisë”.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se Kosova ka tempon më të ulët të punimeve në rajon.

“Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë sonë. Kosova sot duket e trishtë krahasuar me tempon e punimeve në secilin shtet në rajon. E në mungesë të projekteve kapitale, le të mjaftohemi me foto shëtitëse, arrogancë qeverisjeje e arsyetime të 20 viteve të shkuara. Është më e lehtë kjo”, shkroi Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku përmendi premtimet e parealizuara të Qeverisë së Kosovës

“Kur keni parë kryeministrin e Kosovës të fillojë, përurojë apo edhe të flasë për ndonjë projekt madhor kudo në Kosovë? Cilën vendpunishte me punëtorë e ka nisur ai apo kjo Qeveri deri më sot? Premtimet e 40 çerdheve në Kosovë, të 4000 banesave sociale, të rrugëve rajonale, bankave zhvillimore e aseteve sovrane – nuk kanë filluar as edhe në letër”.

Ai tha se Kosova ka nevojë për zhvillim.

“Kosova ka nevojë për zhvillim; e zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transakcione bankare të skemave sociale. S’është ekonomia kaq e thjeshtë e shteti s’është vetëm bankë. Kosova megjithatë ka nevojë për projekte të guximshme dhe të mëdha; për investime kapitale në spitale, shkolla, infrastrukturë rrugore, stadiume, salla kulturore e në energji – në pothuajse çdo fushë të jetës publike”.

Ky reagim i Abdixhikut ka ardhur pas publikemeve të bëra nga Instituti GAP.

Lexo edhe:
Instituti GAP: Realizimi i investimeve kapitale gjatë vitit 2022 më i ulëti në dekadën e fundit

Investimet kapitale nga niveli qendror dhe ai lokal në Kosovë, rezulton të jetë më i ulëti në gjashtë mujorin e parë të vitit 2022 gjatë 10 viteve të fundit.

Duke u bazuar në të dhënat e Institutit GAP, kjo ka ndodhur si rezultat i rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore.

“Rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore dhe politikat qeveritare kanë bërë që realizimi i investimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë të vitit 2022 të jetë më i ulëti në dekadën e fundit”, thuhet në të dhënat e Institutit GAP.

Për shkak të luftës në Ukrainë, bota po përballët më krizë ekonomike. Krahas kësaj, janë rritur edhe çmimet e produkteve esenciale, derivateve të naftës si dhe shumë produkte të tjera.

Rritja e çmimeve ka ndikuar edhe në rritjen e shkallës së inflacionit në botë./Shqip.com