Lajme

Abazi: Ka jo vetëm rritje të çmimeve, por edhe abuzim më të drejtat e konsumatorëve

Rritja e çmimeve për konsumatorët kosovar është një problem tash e shumë kohë. Lidhur më këtë problem Dardan Abazi nga INDEP është shprehur se përpos rritjes së çmimeve ka abuzime edhe me të drejtat e konsumatorit.

“Konsiderojmë se rritja e çmimeve aktualisht ka prekur jashtëzakonisht shumë konsumatorët e Kosovës, ka jo vetëm rritje të çmimeve por edhe abuzim me të drejtat e konsumatorëve dhe mendojmë që në këtë drejtim Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë në kapacitetet monitoruese për tregun e Kosovës. Të mbroj konsumatorët përmes mekanizmave institucional, të mos e lë jofunksional Autoritetin e Konkurrencës dhe mendojmë që kjo është një politikë destruktive nga ana e Qeverisë që për kohë kaq të gjatë ka lënë AKK jo funksional”, ka thënë Abazi.

Po ashtu Abazi është shprehur se në këtë kohë po ndodhin edhe shumë shkelje nga ana e tregtarëve.

“Kështu tregtarët në treg po bëjnë mjaft shumë praktika të padrejta, po bëjnë mjaft shumë shkelje të ligjit në atë mënyrë që qytetarët as nuk mund të parashikojnë rritjen e çmimeve as nuk mund të mbrojnë të drejtat e tyre.’’ thotë Abazi.

Sa i përket subvencionimit me pagesa direkte, Abazi e konsideron se është një politikë e paqëndrueshme e që nuk e rritë mirëqenien e qytetarëve.

“Subvencionimi me pagesa direkte është një politikë e pa qëndrueshme nga ana e Qeverisë së Kosovës. Mund të harxhojmë miliona e miliona në tregun e Kosovës, mirëpo në qoftë se nuk i mbrojmë konsumatorët me instrumente institucionale atëherë vetëm do të pasurojmë edhe më tutje tregtarët e mëdhenj por nuk do të rrisim mirëqenien e qytetarëve dhe nuk do të mbrojmë interesat ekonomike të konsumatorëve”, ka deklaruar Abazi.

Tutje Dardan Abazi për 100 milionëshin e Qeverise së Kosovës për mbështetje të qytetarëve e sheh si një subvencionim të padrejtë i cili nuk ka trajtuar drejte qytetarët e vendit.

“Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Qeverisë me subvencionim në tarifa siç ka ndodhur me këtë 100 milionëshin ka qenë edhe ndërhyrje përmes një subvencionimi të padrejtë që nuk ka trajtuar drejtë qytetarët e Kosovës. Në të njëjtën kohë edhe nuk do të kontribuoj fare në efiçincën e energjisë. Është dashur të kemi një rritje të përgjithshme deri në 5% të çmimit të energjisë për gjitha kategoritë e konsumit në mënyrë që konsumatorët të ulin shpenzimin e energjisë elektrike. Kemi frikë që kjo politikë nuk do të ul shpenzimin e energjisë elektrike dhe do të vazhdojmë të kemi kërkesë të shtuar për energji elektrike në një kohë kur çmimet në traste ndërkombëtare pritet të ketë rritje të tyre”, tha ai.

Abazi thotë se është urgjente si masë afatshkurtër një pako e politikave në efiçincën e energjisë si dhe duke e lënë ZRRE e pavarur që të merr vendimet e veta në lidhje me çmimet e energjisë./Shqip.com