Lajme

AAK: Qeveria Kurti të japë llogari për rritjen e çmimeve

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i ka kërkuar Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, të japë përgjegjësi për rritjen “enorme” të çmimeve.

Para mediave, Tahiri tha se GP i AAK-së gjatë së mërkurës ka kërkuar debat parlamentar lidhur me këtë çështje.

“Grupi Parlamentar i AAK-së dje ka kërkuar një debat parlamentar në raport me një ndër temat më të rëndësishme këto ditë – ngritjen enorme të çmimeve”, është shprehur ai në konferencë për media të enjten.

“Rritja e çmimeve të konsumit, sidomos i produkteve ushqimore, është problem mjaft serioz dhe reagimi i qeverisë në raport me këtë çështje është shumë i vonshëm”.

Ndërsa, për arsyetimit e kreut të ekzekutivit, i cili ka thënë se “Kosova, sikurse e gjithë bota, i është ekspozuar një inflacioni”, Tahiri është shprehur se “janë argumente që ne i dimë tash e 20 vjet”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Ajo që Kurti duhet të jep përgjigje është se sa ishte në opozitë deklaronte që do të kujdeset për çdo cent në sektorin privat. A është Albin Kurti i tanishmi që thoshte Qeveria nuk i rrit çmimet”, ka thënë ndër të tjera shefi i deputetëve të AAK-së.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka thënë se nga e mërkura janë duke punuar për t’iu ndihmuar qytetarëve pas rritjes së çmimeve.

Ai u ka bërë thirrje që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e deklaratave, që sipas tij, e lënë fajtore Qeverinë për rritjen e çmimeve në treg.

Sipas tij, Kosova varet nga importi dhe se nuk kishte se si të mos ndikohej nga rritja e çmimeve.

“Ju ftoj ta ruani qetësinë, po punojmë për një pako masash që do t’i ndërmarrim që do t’iu vijnë në në ndihmë t’i tejkaloni vështirësitë financiare. Nga sot e ditëve në vijim, po punojmë që të kemi pako masash që të kaloni më lehtë këtë gjendje”, ka thënë Kurti./SHQIP.com