Lajme

AAK prezanton kandidatin për kryetar të Ferizajt

Ramush Haradinaj dhe Arben Halili

Arben Halili është kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Ferizajt, njofton Shqip.com.

Lajmin e ka bërë të ditur lideri i partisë, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se Halili do të qeverisë për ngritjen e mirëqenies dhe zhvillimin ekonomik, “ashtu siç ka punuar deri më tani me shumë përkushtim, në detyrën e drejtorit të Shërbimeve Publike dhe Emergjencë”.

“Arbeni ka Master në Shkencat e Biologjisë dhe ka punuar kohë të gjatë në arsim. Në Ferizaj, qytetin me veprimtari të madhe ekonomike, përkushtimi i tij kryesor do të jenë punësimi, shëndetësia, arsimi, apo me një fjalë, që jeta e qytetarëve të jetë më e mirë, që shërbimet për ta, të kryhen ashtu siç e meritojnë ferizajasit”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje është shprehur se gjatë qeverisë së Aleancës, “ne kemi pasur kujdes të veçantë për investime në këtë pjesë, veçanërisht me projektin për Bashkimin e Qytetit, që ndahej nga hekurudha, e shumë investime të tjera”./Shqip.com