Lajme

AAK nuk i shkon në takim presidentes, del me propozim për zgjidhjen e situatës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se ata nuk do të jenë pjesë e nismave të cilat komplikojnë edhe më shumë situatën në vend.

Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare, AAK ka thënë se për këtë qëllim kanë thirrur edhe interpelancë ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Në kuadër të kësaj, AAK-ja thotë se ka katër pika që mund të kthejnë situatën në normalitet:

1. Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale.

2. Institucionet e Kosovës: Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet në të gjitha nivelet, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë.

3. Qeveria të nisë komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar.

4. Të kërkohet një Samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (takim disaditor), deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje reciproke Kosovë-Serbi.

Kujtojmë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pritet që sot të takohet me subjektet politike në vend për të diskutuar lidhur me caktimin e datës për zgjedhje në veri të Kosovës.

Sot pritet të caktohet data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri – SHQIP.com

Sipas ZP-së, një ftesë e tillë është dërguar pasi kanë dhënë dorëheqje kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës.

“Një ftesë e tillë është dërguar pasi që kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre. Këto dorëheqje janë dorëzuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), për të cilat është njoftuar edhe Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës”.

Pas konsultimit me parti politike, Osmani pritet të shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna.

/Shqip.com