Lajme

Sot pritet të caktohet data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pritet që sot të takohet me subjektet politike në vend për të diskutuar lidhur me caktimin e datës për zgjedhje në veri të Kosovës.

Lidhur me këtë takim dhe ftesën ndaj subjekteve politike ishte njoftuar ditë më parë nga zyra e presidentes.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke pasur parasysh afatet ligjore të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, sot u ka dërguar ftesa subjekteve politike për konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Takimi konsultativ me subjektet politike do të mbahet më 14 nëntor”, thuhet në njoftimin e ZP-së.

Sipas ZP-së, një ftesë e tillë është dërguar pasi kanë dhënë dorëheqje kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës.

“Një ftesë e tillë është dërguar pasi që kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre. Këto dorëheqje janë dorëzuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), për të cilat është njoftuar edhe Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës”.

Pas konsultimit me parti politike, Osmani pritet të shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna.

/Shqip.com