Ekonomi

AAK e kundërshton rritjen e çmimit të energjisë

Shefi i Grupit të AAK-së, Besnik Tahiri
Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se e kundërshtojnë me çdo kusht rritjen e faturave të energjisë elektrike.

Tahiri ka thënë se sipas propozimit të ZRrE-së, rritja do të jetë 14%.

“ZRrE-ja pritet të caktojë vlerat maksimale të çmimit të energjisë elektrike. Pritet që në mbledhjen tjetër, që mund të ndodhë këtë javë, të bëhet shqyrtimi i tarifave. Dhe sipas propozimit të ZRrE-së, rritja e çmimit të energjisë do të jetë 14%”, ka thënë Tahiri.

Lexo edhe:
ZRrE: Rryma shtrenjtohet për 14 %

Tahiri ka shtuar se kjo rritje është e palogjikshme duke parë rritjen e të gjitha çmimeve tjera dhe kjo është e papërballueshme për qytetarët.

“AAK-ja e kundërshton me çdo kusht rritjen e këtij çmimi, dhe do të marrim të gjitha masat e mundshme që të parandalojmë këtë. Është e palogjikshme që rritja prej 14% t’iu faturohet qytetarëve, duke parë edhe rritjen e të gjitha çmimeve, nga tatimi në pronë e deri te çmimet që lidhen me komunalin”.

“Qeveria do duhej të ketë qëndrim të saktë në raport me këtë temë. A do ta subvencionojë apo jo? Cili do të jetë pozicioni i Qeverisë dhe Zyrës së Presidentes. Është e palogjikshme që të ndodhë kjo çështje, andaj ne nuk do ta votojmë këtë raport”, është shprehur Tahiri.