Lajme

AAK dërgon komentet në ZRrE: E vazhduam kundërshtimin për rritjen e çmimit të rrymës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka dërguar komentet te Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovës lidhur me tarifat për çmimin e rrymës.

Kjo u bë e ditur përmes një postim në Facebook nga Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ku ka thënë se kanë vazhduar kundërshtimin e rritjes së tarifave.

“Vazhdimin e kundërshtimit tonë ndaj tarifave diskriminuese të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) dhe Qeverisë e bëmë edhe me komentet tona kundërshtuese kundër ngritjes së çmimit të rrymës, të dorëzuara sot në Zyrat e ZRrE-së”, ka shkruar Tahiri.

Tahiri ndër të tjera ka bërë të ditur se AAK-ja ka kërkuar që ZRrE dhe Qeveria e Kosovës  ta kthejnë në rivlerësim të plotë këtë proces.

“Grupi Parlamentar i AAK-së kundërshton çmimin e papërballueshëm të tarifave, duke përfshirë edhe bllok tarifat e propozuara nga ZRrE-ja, dhe kërkon nga ZRrE-ja dhe Qeveria ta kthejë në rivlerësim të plotë procesin”, shkroi ndër tjerash ai.

Ndërkaq, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së hënë i ka dërguar komentet te ZRrE-ja me përmbajtje kundërshtuese për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Po ashtu, edhe nga zyra e Presidentes së Kosovës u bë e ditur se i kanë dërguar komentet në Zyrën e Rregullatorit për Energji për tarifat e reja të propozuara për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit të Presidencës, në këto komente janë dhënë rekomandime konkrete që do rezultonin me respektim të parimit të mosdiskriminimit, përballueshmërisë, qasjes së barabartë dhe furnizimit të rregull me energji.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike është paralajmëruar nga Qeveria për shkak se “Kosova po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘B’”.

Lidhur me këtë, ZRRE ka propozuar rritje të çmimeve për amvisëritë për 9 për qind, teksa Qeveria ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e një pjese të faturave të energjisë.