Lajme

A po përsëritet rasti i Deçanit? – Gjithçka që dihet deri më tani për helmimin në Han të Elezit

Helmimi nga uji në Deçan

190 qytetarët të komunës së Hanit të Elezit që nga e diela kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në e kësaj komune si pasojë e një helmimi, e që dyshohet të ketë ardhur nga uji i pijes.

Drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në këtë komunë, Kimete Kuka për SHQIP.com së pjesa më e madhe e tyre janë nga fshati Gorancë.

“Që nga data 10 korrik kanë filluar rastet e para diku rreth orës 12:00 pasdite, mirëpo fluksi më i madhe ka qenë në orën 16:00 dhe deri sot në orën 8:00 i kemi 190 raste. Kryesitë janë të njëjtit fshatë, banorë të fshatit Goranë”, ka thënë ajo.

Ajo tha se simptomat e para ishin vjellje, diarre dhe plogështi.

“Simptomat kanë qenë më vjellje, diarre, plogështi që kanë qenë të njëjta të të gjithë pacientët. Dyshimet e qytetarëve janë të uji, mirëpo ende diçka konkrete me rezultate nuk kemi. Dje mostrat e para janë marrë gjatë ditës. Nga analiza fiziko-kimike që janë kryer përveç turbullirës në dy raste rezultojnë brenda parametrave normalë. Tash jemi në pritje të analizave bakterore dhe shpresoj që shumë shpejt do ta kuptojmë se a është si rezultat i ujit apo ka diçka tjetër, sepse dhe ne jemi të shqetësuar”, ka thënë Kuka.

E pyetur për ndonjë dyshim tjetër për këtë helmim përveç nga uji, ajo nuk ka dhënë ndonjë informacion.

“Nuk po mundem ende me potencuar asgjë, derisa të dalin analizat e ujit, mandej shohim çka bëhet fjalë”, ka thënë Kuka.

Ndryshe me një situatë të tillë ishte përballur edhe Komuna e Deçanit në korrik të vitit 2021, ku mbi 1500 qytetarë në QKMF në Deçan kishin kërkuar ndihmën mjekësore e në mesin e tyre edhe 51 fëmijë.

Lexo edhe:
Helmimi në Deçan – Komuna kërkon nga IKSHPK-ja analiza më të thella të ujit

Ndërsa, komuna e Deçanit kishte shpallur gjendjen emergjente për shkak të helmimeve.

Dyshimet e para janë se helmimi ka ardhur nga uji i pijes.

Pas analizave të bëra në ujin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” janë gjetur disa baktere.

Lexo edhe:
Helmimi i 1500 qytetarëve në Deçan: Ngritet aktakuzë për dy zyrtarë të “Hidrodrinit”

Lidhur me këtë rast Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë rajonale “Hidrodrini”./SHQIP.com