Lajme

A është Çim hoxha ‘prestanome’ i Shkëlzen Berishës në biznese me njerëzit pranë Ramës?

Zhvillimet e reja hedhin dritë mbi marrëdhëniet e biznesit që lidhen me emrin e Shkëlqim Hoxhës, pas sekuestrimit të “Equos Resort”, ku ai rezultonte aksioner. “Equos Resort” është një biznes miliona euro në Mullet të Tiranës, biznes turistik me pishina, restorante, bare dhe vila luksoze. Çim Hoxha ka qenë drejtor i Lojërave të Fatit në qeverisjen e Sali Berishës. Po ashtu ai ka mbajtur edhe funksione të rëndësishme në Ministrinë e Financave.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Prokuroria e Posaçme, resorti është sekuestruar si pasuri e dyshuar e fshehur e Ergys Agasi, ky i fundit i njohur për afërsinë me kryeministrin Edi Rama dhe një tufë oligarkësh të tjerë të cilët rrethojnë kreun e qeverisë. Ergys Agasi është shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për skndalin e tenderave të AKSHI-t. Ai dyshohet gjithashtu edhe për pengmarrjen e biznesmenëve të cilët më pas shantazhoheshin që të tërhiqeshin nga procedura. Dhe vlen të theksohet se çdo tender i AKSHI përllogaritej në disa milionë euro.

Në këtë kontekst, dalja e emrit të Hoxhës si aksioner ka ngritur pikëpyetje mbi rolin e tij në këto struktura biznesi dhe nëse ai ka vepruar si përfaqësues formal (prestanome) për interesa të tjera.

Dyshimet ngrihen për lidhje të mundshme biznesi që shtrihen mes individëve me profile të ndryshme politike, përfshirë emra të lidhur si me opozitën, ashtu edhe me mazhorancën, mes tyre Shkëlzen Berisha, por edhe persona pranë Belinda Balluku. Shkëlzen Berisha është djali i ish-kryeministrit dhe kryetarit aktual të PD, Sali Berisha.

Shkëlzen Berisha njihet për aftësinë e tij dhe flirtet me segmente pranë mazhorancës. Ai është aksioner në disa kulla në kryeqytet. Madje, i ashtuquajturi “Mali i Tiranës”, një grataçelë prej 64 katesh, mendohet se është pronë ekskluzive e djalit të Sali Berishës i cili “fshihet” pas ndërtuesit Ilir Shtufi, pronar i kompanisë së ndërtimit Nova Construction.

Shkëlzen Berisha është përfitues edhe i disa koncesioneve. Emri i tij është lakuar në të kaluarën tek koncesioni 100 mln euro i hemodializës.

Gjithashtu, djali i Sali Berishës është edhe një prej përfituesve të koncesionit të autostradës Thumanë-Kasharë, edhe pse pronar në letra i saj është oligarku Bashkim Ulaj. Për këtë të fundit, ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku shprehej në komunikimet me vartësin e saj, Evis Berberi, se ai (Ulaj) ishte gati “të shndërrohej në ushtar” pasi ajo i kishte bërë “nderin e jetës”.

Shkëlzen Berisha i cili është nën hetim nga SPAK për aferën e fishekëve në Gërdec ku nga shpërthimi i 15 marsit 2008 humbën jetën 26 banorë, duket se do të detyrohet të japë shpjegime para Prokurorisë së Posaçme edhe për lidhjet indirekte me Ergys Agasin, personin më të kërkuar momentalisht.

I njëjti raport vlen edhe për Shkëlqim Hoxhën i cili vetëm pak javë më parë u dënua nga Gjykata e Posaçme për përfshirje në skema të korrupsionit në zgjedhje. Vendimi u dha pas një procesi të përshpejtuar gjyqësor, ku të pandehurit pranuan gjykim të shkurtuar, duke përfituar ulje të dënimit. Katër nga të pandehurit, Limon Shala, Fatmir Thaçi, Engjell Cara dhe Florant Saraçi u shpallën fajtorë për korrupsion aktiv në zgjedhje, në bashkëpunim dhe të përsëritur.

Secili prej tyre u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 1 vit burg. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke i lënë të lirë me kusht për një periudhë prove 2-vjeçare. Gjatë kësaj kohe, ata nuk duhet të kryejnë vepra të tjera penale dhe duhet të paraqiten pranë Shërbimit të Provës.

I pesti, ish-kandidati i PD për Bashkinë Rrogozhinë, Shkëlqim Hoxha, u shpall fajtor për moskallëzim krimi. Ai u dënua me 4 muaj burg pas uljes së dënimit, por nuk do të vuajë dënim në qeli. Gjykata vendosi që burgimi të zëvendësohet me punë në interes publik. Sipas vendimit, Hoxha do të kryejë 60 orë punë komunitare brenda 6 muajve dhe do të jetë nën mbikëqyrje nga Shërbimi i Provës.

Kështu që, Çim Hoxha është personazh i njohur për Prokurorinë e Posaçme dhe së paku nuk do të ngatërrohej te dera prej hekuri siç iu ndodh të gjithëve, sepse e ka kaluar njëherë atë portë. Dhe, pritet ta kalojë sërish, këtë herë për telashe shumë më serioze!

Lexo edhe:
EKSKLUZIVE/ Njeriu i Berishës, Shkëlqim (Çim) Hoxha, ortak me Ergys Agasin në “Equos Resort”
Lexo edhe:
Bashkëpronarë te “Equos Resort”, zbardhen dokumentet që faktojnë lidhjen e Shkëlqim Hoxhës me Ergys Agasin. Ish-drejtori i Berishës manovra me aksionet

/Shqip.com