Berjani kërkon uljen e çmimeve pasi çmimet e karburanteve kanë shënuar rënie

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka shënuar Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Konsumatorit, me temën “Mbrojtja e konsumatorit dhe ngritja e çmimeve në Kosovë”
Në këtë tryezë është kërkuar ulja e çmimeve në produktet dhe shërbimet ngase rritja e këtyre çmimeve ishte bërë me arsyetimin e rritjes së çmimit të karburanteve.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani deklaroi se ka rënie të çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare dhe si rrjedhojë duhet të ulen edhe çmimet.
“Ata të cilët kanë rritur çmimet në emër të derivateve i lus që të ulin çmimet sepse ka rënë. Unë po e them se derivatet e naftës në Kosovë janë më të lirat në regjion. Shqipëri, 1.77 Serbi-1.60, Mal të Zi 1.74, në Kosovë janë 1.49 deri në 1.52 cent. Këto janë çmimet aktuale në Kosovë”. tha ai.
Ndërkaq Ilir Berisha nga Agjencia e Statistikave të Kosovës deklaroi se në vendin tonë është vërejtur një ngritje e çmimeve rreth 7.3 përqind.
Ai deklaroi se ngritja e çmimeve ka ardhur edhe si rezultat i varësisë nga importi.
“Lëvizjet e çmimeve kanë pasur një ngritje dhe agjencia e ka përcjellë listën e çmimeve në baza mujore. Së fundmi agjencia ka publikua indeksin për muajin shkurt ku është vërejtur rritje e çmimeve që nuk ka qenë shumë e lartë diku 7.3 për qind. Një pjesë e madhe e artikujve janë të varura 100 për qind nga importi. Do të kemi lëvizje edhe të çmimit të transportit”, tha Berisha.
Kurse Nijazi Shala nga Departamenti për mbrojtjen e Konsumatorit, tha se kontrollet e çmimeve mund të ndihmojnë korporatat duke i eliminuar monopolet.
“Mbrojta e konsumatorit ka rëndësi të veçantë dhe mund të konsiderohet si kategori ekonomike. Mbrojtja e konsumatorit konsiston në forcimin e ekonomisë. Kontrollet e çmimeve mund të ndihmojnë korporata duke eliminuar monopolet. Jemi në proces të ndryshimit të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit”. Ka thënë Shala. /Shqip.com