20 raste të zjarreve janë paraqitur në dy ditët e fundit në Komunën e Prizrenit

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, njoftoi të martën se në territorin e kësaj komune janë paraqitur 20 raste të zjarreve vetëm në dy ditët e fundit, përcjell Shqip.com.
Përmes një postimi në Facebook, Haskuka ka bërë të ditur se këto zjarre kanë shkaktuar dëme sidomos në zora malore e fushore në rajonin e Zhupës, në Oshlak, Lubizhdë të Prizrenit e në Zhur.
I pari i Prizrenit më tej ka thënë se ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve kanë marrë hapat e nevojshme konform situatës së paraqitur dhe se gjendja aktuale në vend është e qetë.
“Drejtoria për Emergjencë dhe Siguri është në koordinim të plotë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, FSK-në, Policinë e Kosovës, Qendrën Operative Emergjente dhe institucionet tjera të sigurisë”.
“Ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve janë në gatishmëri të plotë për intervenime, të cilët përveç rasteve të zjarrit në komunën tonë, kanë marrë pjesë edhe në aksionet e shuarjes së zjarreve në komunën e Suharekës dhe të Pejës”, ka shkruar ai.
Haskuka në fund ka shtuar qytetarët, e ne veçanti, sidomos banorët dhe vizitorët e zonave malore e fushore, që të kenë kujdes të shtuar në këto vende të rrezikuara si pasojë të temperaturave të larta./SHQIP.com