Lajme

Zjarr në Malet e Rugovës – intervenon Policia, FSK-ja dhe KFOR-i

Foto: Armend Mehaj, Facebook

Malet e fshatit Shtupeq i Madh në Rugovë të premten janë përfshirë nga zjarri, njofton Shqip.com.

Me këtë rast, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se kanë arritur të lokalizojnë zjarrin.

Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se kanë angazhuar efektivat e specializuara të Regjimentit të Dytë të Forcave Tokësore dhe njësinë e zjarrfikjes së Gardës Kombëtare të FSK-së.

“Gjithashtu kam kontaktuar me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, gjeneralin amerikan Maier me të cilin kam koordinuar me ta ndërhyrjen nga ajri me dy helikopterë”.

“Ndërhyrja e menjëhershme ka rezultuar me sukses të plotë dhe se zjarri është lokalizuar dhe nuk ka mundësi të depërtoj në zonat e banuara. Sonte do të qëndrojnë në vend-operacion të gjitha kapacitetet e angazhuara të FSK-së”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ai tutje ka njoftuar qytetarët e Shtupeqit dhe vendbanimeve të këtij rajoni se “nuk ka vend për shqetësim dhe panik sepse situata është plotësisht nën kontroll”./SHQIP.com